fbpx

Bislimi dhe Petkoviq vazhdojnë të qëndrojnë të “mbyllur” në Bruksel për më shumë se katër orë, priten rezultate pozitive

HomeLajmeKosovë

Bislimi dhe Petkoviq vazhdojnë të qëndrojnë të “mbyllur” në Bruksel për më shumë se katër orë, priten rezultate pozitive

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se shpreson që të mërkurën do të arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave ilegale serbe.

Takimi trepalësh ka nisur rreth orës 16:00. Kosova përfaqësohet nga kryenegociatori, Besnik Bislimi, derisa Serbia nga Petar Petkoviq dhe tashmë kanë kaluar më shumë se katër orë që këta të dy janë “mbyllur” në Bruksel, shkruan Demokracia.com.

Më herët u raportuar se palët kanë shkuar në pauzë pas orës 17:00 dhe janë konsultuar me kryeqytetet – Prishtinën dhe Beogradin.

Nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për targat është theksuar edhe në një takim të zhvilluar të martën ndërmjet Kurtit dhe ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guerot dhe Jorn Rohde, ka thënë Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate.

Takimi në Bruksel do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Ai ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

“Shtetet e Bashkuara i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave”.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje. /Demokracia.com