fbpx

Bislimi bëhet nervoz me Lajçakun: “Interpretimi i tij për targat është i gabueshëm..”

HomeLajmeKosovë

Bislimi bëhet nervoz me Lajçakun: “Interpretimi i tij për targat është i gabueshëm..”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në lidhje me reagimin e Bashkimit Evropian për shkallëzimin e vendimit për targat, ka cilësuar se përfshirja e emisarit Mirsolav Lajçak ishte e gabuar.

Bislimi në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, ka thënë se kërkesa për shtyrje prej 10 muaj ka ardhur si korrigjim i kërkesës së emisarit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mendoj që termi zhgënjim në gjuhën shqipe ndoshta merr një konotacion pak më të ekzagjeruar se ajo që është menduar në qëndrimin atje. Kërkesa për shtyrje për 10 muaj ka ardhur si një lloj korrigjimi i kërkesës së Mirosllav Lajçakut (të dërguarit të BE-së për dialogun) që implementimi të bëhet për 12 muaj”, tha ai.

Sipas tij, Kosovës iu kërkua që zbatimi i vendimit të shtyhet edhe për 10 muaj dhe sekjo kishte për bazë interpretimin e gabuar nga zyra e Lajçakut.

“Ne, meqë vetëm kemi pasur një periudhë dymujore që e kemi zbatuar, ata kanë kërkuar që kësaj t’i shtohen edhe 10 muaj. Unë mendoj që kjo ka si bazë një interpretim të gabuar të zyrës së Lajçakut mbi implikimet që rrjedhin nga marrëveshja e vitit 2016”, tha ai.

Por numri dy i Qeverisë së Kosovës nuk u ndal me kaq, pasi që sipas tij, edhe vetë përfshirja e emisarit Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ai, ka qenë gabim.

“Prandaj, edhe në këtë kontekst, mendoj që ka qenë gabim involvimi i z.Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ana e tij. Jo vetëm që ka qenë gabim, por ndoshta edhe ka prodhuar efekte anësore të gabueshme”, ka thënë Bislimi.

Si reagoi BE-ja për vendimin e Qeverisë?

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ky vendim nuk është marrë në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut.

“BE-ja ka marrë parasysh vendimin më të fundit të qeverisë së Kosovës në lidhje me targat. Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Veç kësaj, BE-ja njëjtë si ShBA-ja është shprehur e zhgënjyer që kërkesa e tyre nuk është përfillur.

“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët. Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”, thuhej në këtë komunikatë të publikuar gjatë së shtunës.