fbpx

Biden: Putin shkel paturpësisht parimet themelore, po tenton zhdukjën nga harta të një shteti sovran

HomeLajmeBota

Biden: Putin shkel paturpësisht parimet themelore, po tenton zhdukjën nga harta të një shteti sovran

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Rusia “ka shkelur paturpësisht parimet themelore” të Kartës së OKB-së “me luftën e saj brutale dhe të panevojshme” në Ukrainë.

Gjatë adresimit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Biden tha Vladimir Putin po tenton “të zhdukë nga harta një shtet sovran” dhe i quajti planet ruse për të organizuar referendume të “rreme” në pjesë të pushtuara të Ukrainës, si “shkelje jashtëzakonisht të rënda të Kartës së OKB-së”.

“Putin pretendon se i duhej që të vepronte sepse Rusia u kërcënua, por askush nuk e ka kërcënuar Rusinë dhe askush, pos Rusisë, nuk dëshiron konflikt”, tha Biden.

Adresimi i Bidenit para OKB-së vjen disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, për pushtimin e Ukrainës.

Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se “ky nuk është një mashtrim”.

Sipas Bidenit, Putin bëri kërcënime bërthamore ndaj Evropës, duke shtuar se Rusia po fton më shumë ushtarë që t’i bashkohen luftës dhe se Kremlini po tenton të aneksojë pjesë të Ukrainës.

“Bota duhet t’i shoh këto veprime të egra, ashtu siç vërtetë janë”, tha ai.

Separatistët pro-rusë në Ukrainë thanë të martën se duan të mbajtën të ashtuquajtura referendume, për t’iu bashkuar Rusisë. Votimet u thanë se do të organizohen në rajonet Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja nga 23 deri më 27 shtator.

Biden foli edhe për armët bërthamore dhe tha se SHBA-ja është e përkushtuar që të ketë kontroll të armëve të shkatërrimit në masë.

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe kurrë nuk duhet të luftohet”, tha ai.

Ai përsëriti qëndrimin se Rusia po bën kërcënime të papërgjeshme sa i përket përdorimit të armëve bërthamore.

Presidenti amerikan tha se të gjitha shtetet, qofshin demokratike apo autokratike, duhet të ngrenë zërin kundër pushtimit rus të Ukrainës – që nisi më 24 shkurt – dhe të ndihmojnë Kievin që të mbrojë veten.

“Ne do të qëndrojmë në solidaritet kundër agresionit të Rusisë, pikë”, tha Biden.

Presidenti rus, Vladimir Putin (majtas) tha se vendimi i tij për një mobilizim të pjesshëm ushtarak u mor me rekomandimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu (djathtas) dhe Shtabit të Përgjithshëm. Fotografi nga arkivi.

Presidenti amerikan tha se pushtimi i Ukrainës ka shkaktuar pasoja në furnizimet globale ushqimore dhe premtoi 2.9 miliardë dollarë ndihmë për të adresuar mungesat në furnizimet ushqimore të shkaktuara nga lufta dhe ndryshimet klimatike.

Ai po ashtu lavdëroi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja, që mundësoi rinisjen e eksporteve të drithërave ukrainase. Biden tha se kjo marrëveshje, që mundëson eksportet përmes porteve ukrainase, duhet të mbetet në fuqi pavarësisht luftës.

Lufta në Ukrainë ka shktuar rritjen e çmimeve të ushqimit, por edhe të energjisë. Ukraina është një ndër eksportueset më të mëdha në botë të drithërave.

x