Besimtarët muslimanë në rajon falin namazin e Kurban Bajramit

HomeLajmeRajoni

Besimtarët muslimanë në rajon falin namazin e Kurban Bajramit

Mijëra besimtarë muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë kanë falur sot namazin e Kurban Bajramit. Ata janë mbledhur së bashku në xhamitë në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Kurban Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia qendrore për festën e Kurban Bajramit në Maqedoninë e Veriut u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup nën kujdesin e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të programit të zhvilluar u kënduan ilahi në shqip, turqisht dhe boshnjakisht.

Hutbeja e Bajramin u mbajt nga kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu.

Në një deklaratë për gazetarët pas namazit, Fetahu tha se çështja e kurbanit ka një rëndësi të madhe për muslimanët.

“Festa e Kurban Bajramit është festë e gatishmërisë për të sakrifikuar gjithçka për vlerat e mëdha që sjellin deri tek kënaqësia e Allahut fuqiplotë por edhe deri te gëzimi i të gjithë njerëzve, në veçanti për lumturinë e skamnorëve që kanë nevojë për të jetuar si të gjithë njerëzit e tjerë”, tha Fetahu.

Besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e Kurban Bajramit, duke u mbledhur së bashku nëpër xhami dhe sheshet e vendit.

Programi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.

Gjithashtu pjesë e programit qendror në Tiranë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.

Besimtarët muslimanë në Kosovë e kanë falur namazin e Kurban Bajramit në të gjitha xhamitë e vendit.

Në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fatih”, u mblodhën disa qindra besimtarë që erdhën për të falur namazin e sabahut, të dëgjojnë Hutben e Fitër Bajramit, e në fund të falin edhe namazin e festës.

Hutben e Kurban Bajramit e mbajti kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, i cili tha se festa e Kurban Bajramit është ndër festat më të rëndësishme për muslimanët.

Tërnava tha se këtë vit për shkak të lehtësimit të masave nga pandemia e COVID-19 dhe shkuarjes së besimtarëve në ritualin e haxhit, festa e Kurban Bajramit është gëzim i dyfishtë.

“Haxhi pa pikë dyshimi ka dobi dhe vlera të mëdha për besimtarin. Haxhi ka një histori të hershme duke filluar nga Ibrahimi a.s. Zoti xh.sh thotë dhe thirr te njerëzit për haxhin, ata do të vijnë këmbësorë dhe kalorës me deve nga të gjitha viset e largëta. Kur njeriu kthehet nga ky udhëtim me zemrën që ka shijuar ëmbëlsinë e afërsisë me Zotin, në jetën e tij ndryshojnë shumë gjëra në raport me gabimet dhe mosbindjet e tij të deriatëhershme”, theksoi Tërnava.

Gjatë ceremonisë së faljes së Kurban Bajramit, përpos tekbireve, u kënduan edhe ilahi. Ndërsa pas faljes së namazit të festës, besimtarët të veshur me rroba festive uruan njëri-tjetrin e më pas u shpërndanë për të kremtuar festën me familjarë dhe të miq të tjerë.

COMMENTS

x