fbpx

Bëni gati armët dhe godisni Iranin që të shpëtoni Ukrainën! Diplomati amerikan ka një thirrje për SHBA-në dhe NATO-n

HomeLajmeBota

Bëni gati armët dhe godisni Iranin që të shpëtoni Ukrainën! Diplomati amerikan ka një thirrje për SHBA-në dhe NATO-n

Nga Richard Sindelar “19 Forty Five”

Përktheu: Alket Goce

Krimet e luftës të Vladimir Putinit, dhe aventura e fundit e regjimit të udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei, mund të kenë krijuar një mundësi të pazakontë për SHBA-në. Uashingtoni mund të ndërmarrë veprime domethënëse njëkohësisht në dy fronte:në mbrojtjen indirekte të Ukrainës, dhe në mbështetje të protestuesve iranianë.

Vendet perëndimore, po tregohen shumë të kujdesshme për shkak të kërcënimeve të Putinit për përdorimin e armëve bërthamore, si dhe ndaj mundësisë së një lufte më të madhe. Por ata i kanë shtuar dërgesat e armëve në Ukrainë si dhe kampet stërvitore për ushtarët ukrainas.

Francezët sapo kanë rënë dakord së fundmi që të ofrojnë trajnime në Francë për ukrainasit, duke iu bashkuar kësisoj britanikëve dhe të tjerëve në një përpjekje të ngjashme. Kjo strategji me profil të ulët, por me rritje të mbështetjes për Ukrainën, ka ndihmuar deri tani në fuqizimin e mbrojtjes së kësaj të fundit, duke mos shkaktuar një përgjigje masive, përfshirë atë bërthamore nga ana e Putint.

Njëkohësisht, krimet e luftës të Putinit – sulmet me raketa dhe dronë mbi zonat e banuara, vrasjet masive në zonat nën pushtim etj – e kanë zgjeruar gamën e përgjigjeve që Perëndimi ka të drejtë të ndërmarrë sipas ligjit ndërkombëtar.

Në fakt nëpërmjet krimeve të tij të luftës, Putin në fakt e ka ndërkombëtarizuar luftën, duke ofruar bazat për strategjinë e Perëndimit. Kështu, llogaritjet politike dhe ushtarake shndërrohen nga vendore dhe rajonale, të përqendruara në Evropën Lindore dhe ndoshta në NATO, në kalkulimet ku mund të përmbajnë dhe referenca të parimeve universale.

Në këtë mënyrë, kjo luftë mund të përfshijë të gjithë komunitetin e kombeve, që është i detyruar të reagojë kundër krimeve ndaj njerëzimit. Thelbi i një reagimi të gjerë ndërkombëtar ndaj krimeve të luftës të Putinit, përfshin vetë Kartën e OKB-së, Përgjegjësia për të Mbrojtur të vitit 2005, ose R2P; Konventat e Gjenevës për jo-pjesëmarrësit në luftë; dhe të drejtën zakonore ndërkombëtare.

Neni 51 i Kartës së OKB-së, dënon çdo pushtim të territorit të një kombi tjetër. Ky nen parashikon përdorimin kolektiv të forcës mbrojtëse, për aq kohë sa ajo është e nevojshme dhe proporcionale me sulmin fillestar. R2P bën thirrje për “veprimin e duhur kolektiv” nga të gjitha kombet për t’iu përgjigjur akteve të rënda, përfshirë gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Më 12 tetor, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dënoi me 143 vota pro veprimet e Rusisë. Vetëm 5 vende votuan kundër. Pra, ne kemi tani një luftë të ndërkombëtarizuar, në të cilën po kryhen krime të shumta lufte, gjë që e bën të domosdoshme një përgjigjeje sipas Nenit 51.

Ne kemi detyrim ndërkombëtar për të reaguar, dhe Karta e OKB-së thotë se kjo duhet bërë në mënyrë proporcionale. Për të zëvendësuar arsenalin në pakësim të vazhdueshëm të Rusisë, Irani po e furnizon atë një shumëllojshmëri raketash dhe dronësh. Një nga më efektivët është droni kamikaze Shahed-136, i përdorur për të sulmuar objektivat civilë në Kiev.

Ka raportime se instruktorët iranianë të dronëve, i janë bashkuar luftës në zonën e Khersonit.

Përdorimi i këtyre armëve mbi objektivat civile në funksion të luftës psikologjike, e bën Iranin bashkëpunëtor në krimet ruse të luftës. Një përgjigje “e nevojshme dhe proporcionale” do të synonte logjikisht drejtpërdrejt Rusinë, duke sulmuar njësitë ruse dhe burime të tjera të sulmeve me dron dhe breshëri të tjera raketash.

Por ato janë të vështira për t’u gjetur dhe shkatërruar. Një reagim tjetër i lejueshëm i natyrës mbrojtëse, do të ishte sulmi ndaj burimit të armëve vdekjeprurëse:pra mbi asetet, objektet dhe zinxhirët e furnizimit iranian, përgjegjës për prodhimin dhe sigurimin e këtyre mjeteve të krimeve të luftës.

Objektivat legjitime variojnë nga fabrikat e prodhimit dhe bazat e furnizimit logjistik, deri tek udhëheqja e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përgjegjëse për programin e furnizimit me armë të aleatëve jashtë vendit.

Ndërsa hakmarrja e Perëndimit bazohet zakonisht tek sanksionet ekonomike – një masë e parashikuar edhe nga R2P – kjo është një qasje që i jep efektet pas një kohe të gjatë. Ajo nuk shpëton dot sot jetën e ukrainasve, ndaj përgjigja në këtë rast duhet të jetë ushtarake.

Sulmet nga komuniteti ndërkombëtar do të ishin proporcionale, pasi do të synonin qendrat e prodhimit, logjistikës dhe furnizimit të armatimeve iraniane. Në këtë mënyrë do të pakësohen burimet ushtarake të Putinit, dhe sërish përgjigja perëndimore do të ishte indirekte.

Pasi ajo nuk synon vetë Rusinë, por më shumë aleatët e Rusisë kudo në botë. Edhe pse nuk ka gjasa të ndodhë, pas sulmeve Irani mund të bindet të ndalojë furnizimin e Rusisë me armë. Furnizimi i Rusisë me mjete për krime lufte nga Irani, u jep gjithashtu politikë-bërësve në Perëndim shansin që bota t’i shohë duke ndërhyrë kundër abuzimeve humanitare të regjimit klerikal të Iranit, dhe po ashtu duke mbështetur iranianët që po vdesin në rrugë gjatë protestave.

Diplomacia publike mund të sinjalizojë se ndërsa sulmet janë kundër furnizimeve ushtarake për Rusinë, në një kuptim më të gjerë ato janë të nxitura nga natyra banditeske e regjimit të Ali Khameneit. Një diplomaci e tillë mund ta deklarojë edhe se sulmet do të pasohen nga sanksione më të ashpra, për shkak se furnizimet me armë po shkelin rezolutat e OKB-së. Veçanërisht goditja ndaj IRGC-së, do të sinjalizonte se ata që përfshihen në krime lufte

dhe shtypjes së popullit të tyre, nuk janë të imunizuar ndaj pasojave. Një sulm ushtarak me synim nxjerrjen jashtë loje të industrisë ushtarake dhe logjistikës iraniane, është një recetë me disa efekte anësore. Ajo do t’i jepte me gjasë fund negociatave mbi programin bërthamor të Iranit, dhe do të çonte në rritjen e shqetësimeve nga aleatët në Lindjen e Mesme.

Por duket se në çdo rast bisedimet bërthamore në fund do të dështojnë. Ndaj ekziston mundësia e dhënies së një goditjeje të fortë dhe kuptimplotë kundër arsenalit rus. Po ashtu, sulmet e specifike ndaj Iranit, do të sinjalizonin mbështetjen e vërtetë të Perëndimit ndaj protestuesve iranianë pro-demokracisë, të cilët po përballen aktualisht me shtypjen e dhunshme nga IRGC, policia dhe milicitë Basij.

Disa analistë mund të propozojmë që në fillim të provojmë diplomacinë, dhe t’i bindim iranianët të heqin dorë nga furnizimi me armë ndaj Rusisë. Por vazhdimi i bisedimeve, të cilat janë ndoshta të destinuara të dështojnë, nuk do të mbrojë civilët ukrainas që jetojnë tani nën kërcënimin e sulmeve të njëpasnjëshme.

Edhe pse nga distanca, një sulm ushtarak mund ta bindë madje Iranin të bjerë dakord rreth marrëveshjes bërthamore. Pasi do t’i tregojë Teheranit se çfarë mund të ndodhë nëse nuk arrihet një marrëveshje, dhe nëse SHBA dhe të tjerët vendosin se është shumë e rrezikshme ta lejojnë Iranin të prodhojë një bombë bërthamore.

Përtej Iranit, aktorë të tjerë si Kina dhe Koreja e Veriut po i ofrojnë Rusisë municione, armë dhe madje edhe raketa. Në këtë rast, duke pasur parasysh realitetet midis fuqive të mëdha, përgjigja perëndimore nuk mund të jetë ushtarake. Por në bashkëpunim me R2P, ajo duhet të përfshijë sanksione ekonomike specifike kundër zinxhirëve të furnizimit për një mori produktesh dhe materialesh me përdorim të dyfishtë, dhe që janë nevojshme për prodhimin e raketave dhe armëve të tjera.

Shënim:Richard Sindelar, diplomat amerikan në pension, Ka punuar për shumë vite në Byronë e Inteligjencës dhe Kërkimit të Departamentit të Shtetit. Tani është drejtor i Qendrës për Studime Ndërkombëtare në Universitetin e Hjustonit.