fbpx

BE: Kosova ka të drejtë për targat, por zgjidhja duhet të jetë përmes një procesi gjithëpërfshirës

HomeLajmeKosovë

BE: Kosova ka të drejtë për targat, por zgjidhja duhet të jetë përmes një procesi gjithëpërfshirës

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian Nabila Masrali tha sot se BE do të vazhdojë të punojë me Beogradin dhe Prishtinën për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave dhe u bëri thirrje të dyja palëve të qëndrojnë të qetë për të shmangur tensionet e reja.

Në konferencën për media në Bruksel, ajo ritheksoi se Kosova ka të drejtë që vendimin për ri-regjistrim ta zbatojë në faza, por se procesi duhet të zhvillohet në mënyrë të dakorduar, gjithëpërfshirëse dhe përmes dialogut.

“E theksojmë qartë se Kosova ka të drejtë të ndryshojë gradualisht tabelat ‘KM’, por ai proces duhet të jetë në kuadër të dialogut. Ky vendim nuk është në përputhje me marrëveshjet nga dialogu mes dy palëve dhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2016”.

“Kemi thënë se ky vendim është një hap në drejtimin e duhur, por nuk është pjesë e dialogut që është i detyrueshëm për të dyja palët”, tha Masrali në konferencën për media, duke iu përgjigjur pyetjes se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Brukselit.

Ajo gjithashtu theksoi se BE-ja vazhdon të punojë me partnerët për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

“Ne përsëri u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë të qetë në mënyrë që të mos ketë tensione të reja në terren”, theksoi Masrali.

BE mbrëmë ka kërkuar nga Prishtinës që të lejojë një periudhë më të gjatë kalimtare për serbët që të regjistrojnë automjetet në targa RKS.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës u ka bërë sërish thirrje qytetarëve serbë që të regjistrojnë automjetet e tyre në targa RKS, ndërkohë që gjoba për ata që hasen duke vozitur pa këto targa gjoba do të jetë 150 euro.

Në një komunikatë për media thuhet se një gjë e tillë mund të bëhet në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, me datë 28.10.2022 që procesi i regjistrimit të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal më datë 21 prill 2023.

Me vendimin e ri, nga data 1 nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Nga data 21 nëntor deri me datë 21 janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.

Nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.

Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.

Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtetin tonë, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar.