fbpx

BE-ja e zhgënjyer me vendimin e ri të Kurtit për targat serbe

HomeLajmeKosovë

BE-ja e zhgënjyer me vendimin e ri të Kurtit për targat serbe

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës të shtunën që të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni për heqjen graduale të targave të vjetra serbe ende në përdorim nga minoriteti etnik serb në vend.

Qeveria e Kosovës tha të premten se do të shtynte vendimin për konfiskimin e makinave në pronësi të serbëve etnikë që refuzojnë të përdorin targat e makinave lokale pas kritikave nga vendet perëndimore se një veprim i tillë mund të përkeqësojë tensionet etnike.

Reuters raporton se Kosova ka tentuar disa herë këtë vit që t’i kërkojë minoritetit të saj serb që t’i ndryshojë targat e veturave të vjetra që datonin para vitit 1999 kur Kosova ishte ende pjesë e Serbisë. Megjithatë, kjo lëvizje është pritur me rezistencë të fortë dhe ndonjëherë të dhunshme nga serbët vendas që jetojnë në pjesën veriore të vendit.

Afati i fundit ishte 1 nëntori, kur rreth 10,000 shoferë duhej të ndryshonin targat e veturave të vjetra.

Bashkimi Evropian tha të shtunën se Kosova kishte të drejtë të heqë gradualisht targat e veturave të vjetra dhe kishte bërë një hap në drejtimin e duhur, por se një marrëveshje e vitit 2016 parashikonte një kornizë kohore 12-mujore për procesin, e cila nuk ishte ndjekur.

“Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni”, tha për Reuters-in Nabila Massrali, zëdhënëse për punët e jashtme dhe sigurinë në Komisionin Evropian.

“Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në, është zhgënjyese të shohësh se nuk është zbatuar”, shtoi ajo.

Massrali u kërkoi të gjitha palëve të ruajnë qetësinë, të përmbahen dhe “të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës”

Të premten, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se largimi i targave të vjetra do të zbatohet gradualisht.

Ai tha se shoferëve fillimisht do t’u jepen paralajmërime për tre javë, pastaj do të gjobiten për një periudhë prej dy muajsh, e ndjekur nga një periudhë e targave të përkohshme të makinave. Nëse deri më 21 prill nuk i ndërrojnë targat, automjetet e tyre do t’u konfiskohen.

Pas shpalljes së vendimit, reagoi Departamenti Amerikan i Shtetit, duke thënë se SHBA-ja është e “zhgënjyer” dhe “e shqetësuar” që Qeveria e Kosovës nuk i ka përfillur kërkesat e ndërkombëtarëve për çështjen e targave.

Kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës ka qenë që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj deri në 1 vit.