Connect with us

Kosovë

BE-ja dhe SHBA-ja thonë se po punohet me Kurtin e Vuçiqin për të gjetur një zgjidhje politike në veri, i quan protesta paqësore barrikadat!

Publikuar

me

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të ulur tensionet dhe po ashtu të frenohen nga provokimet, kërcënimet dhe frikësimet.

Në një deklaratë të përbashkët të BE-së dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së, thuhet se po punohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike për të ulur tensionet.

“BE-ja dhe SHBA-ja është e shqetësuar për situatën e tensionuar që po vazhdon të mbizotërojë në veri të Kosovës. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për përmbajtje maksimale, të mos marrin masa të menjëhershme dhe të pakusht për të ulur tensionet, dhe të frenohen nga provokimet, kërcënimet e frikësimet. Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike në mënyrë që të ulen tensionet dhe të arrihet pajtim për një rrugë para në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Po ashtu në këtë deklaratë është thënë se mirëpresin garancinë e marrë nga Kosova që konfirmon se nuk ka një listë me serbë të Kosovës që do të arrestohen apo persekutohen për “protestat paqësore/barrikadat”.

“Në të njëjtën kohë sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme e nuk do të tolerohet”, thuhet në komunikatë.

SHBA-ja është thënë se do ta përkrahë punën e BE-së nëpërmjet Misionit të EULEX-it në Kosovë.

“EULEX-i, në përputhje me mandatin, do të vazhdojë të monitorojë nga afër gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për ta promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshirë, në veçanti, garantimin e një gjykimi të drejtë, si dhe mbrojtjen e trajtimin e barabartë për anëtarëat e komuniteteve joshumicë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu është thënë që pritet që Kosova dhe Serbia të kthehen në bisedime për të nxitur një “mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve”. Ndërsa është bërë thirrje edhe të respektohen gjitha marrëveshjet.

“Të gjitha detyrimet e dialogut duhet të implementohen plotësisht dhe pa vonesa”, thuhet në deklaratën.

Qe gati 20 ditë disa rrugë në veri të Kosovës janë bllokuar nga barrikadat e vendosura nga serbë lokalë. Ata kanë thënë se janë barrikaduar pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet për sulm ndaj Policisë së Kosovës e Komisioneve Komunale Zgjedhore. Të mërkurën, Pantiqit iu ndryshua masa nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak.

Reklama