fbpx

BE del me detaje të reja për takimin “urgjent” mes Kurtit e Vuçiqit

HomeLajmeKosovë

BE del me detaje të reja për takimin “urgjent” mes Kurtit e Vuçiqit

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të zhvillohet të hënën e 21 nëntorit.

Në një komunikatë për media nga BE-ja thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën do të priten në Bruksel nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Të hënën, më 21 nëntor, në Bruksel do të mbahet një takim urgjent i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Takimet do të zhvillohet fillimisht ndaras e më pas do të ketë një takim të përbashkët.

Edhe kryeministri Kurti por edhe presidenti serb e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

“Kryeministri Kurti udhëton sot për në Bruksel, ndërkaq takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe z. Vuçiq është konfirmuar për nesër, ditë e hënë”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Përfaqësuesi i Lartë do të nisë me takime të veçanta me secilin lider duke filluar nga ora 08:00, e më pas do të ketë një takim të përbashkët”, vijon njoftimi.

“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga përfaqësuesi i Lartë.