Bashkëpunimi i SHBA’së me BIA’në e Serbisë ‘e ngrirë’, për shkak të Aleksandar Vulin

1 minute, 39 seconds Read

Pushtetit në Serbi i kanë ardhur sinjale se Washington nuk e sheh me sy të mirë të përzgjedhurin si drejtor të ri të agjencisë serbe të inteligjencës ‘BIA’, Aleksandar Vulin. Porosi të tillë ia kanë thënë disa herë, rasti i fundit ishte nga ambasadori amerikan Christopher Hill, kur takoi ministrin e punëve të jashtme të Serbisë Ivica Dacic me 5 janar.

Televizioni serb N1 ka raportuar se ka mësuar nga burime të besueshme diplomatike se Ambasadori Amerikan Hill i ka thënë kryediplomatit serbe Dacic se ‘BIA’ në periudhën e ardhshme do të jetë e ngrirë thellë’ dhe pas shqyrtimeve në Washington është dalë me përfundim se ‘përzgjedhjet e kuadrit’ në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë ‘BIA’ paraqesin një problem të madh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, Hill ka njoftuar se do të intensifikojnë bashkëpunimin me resorët tjerë të qeverisë serbe, mes tyre edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Hill i ka thënë Dacic se me këtë synim do të organizojnë së shpejti vizitën e ministrit serb Bratislav Gasic në Washington shkruan N1.

Bratislav Gasic kishte kryesuar BIA e Serbisë mandatin e kaluar kur edhe i ndërruan vendet me Aleksandar Vulin, i cili njihet si një mbështetës dhe propagandues i politikës ruse në Serbi.

Sa ishte ministër i policisë serbe Vulin disa herë kishte takuar Sekretarin e Këshillit për Siguri Kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev, me të cilin ka arritur pajtim për bashkëpunimin në luftimin e përbashkët të rebelimeve popullore, të njohura si ‘revolucionet me ngjyra’.

Opozitari rus Vladimir Kara-Murza e kishte akuzuar Vulin, se e kishte përgjuar sa ishte ministër i policisë dhe ato transkripte i kishte dorëzuar Moskës. Vulin këto pretendime i kishte demantuar dhe kishte paralajmëruar padi ndaj Kara-Murza dhe mediave që i botojnë deklaratat e tij.

Publikime te ngjashme