fbpx

Bajqinovci: Nuk është mirë që në polici të kthehen sërish njerëz të MUP-it dhe kriminelë të “rojeve të urës”

HomeLajmeKosovë

Bajqinovci: Nuk është mirë që në polici të kthehen sërish njerëz të MUP-it dhe kriminelë të “rojeve të urës”

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci ka thënë se beson shumë se vendimi i Qeverisë së Kosovës në një formë apo në një tjetër, do të zbatohet. Krahas kësaj, presioni më i madh në vend po bëhet nga brenda vendit dhe sipas tij, duhet të hapen konkurse dhe të pranohen qytetarë të komunitetit serbë që do t’i shërbenin me devotshmëri Kosovës.

Bajqinovci nuk mendon se do të ishte mirë që disa nga policët serbë të ktheheshin në detyrë duke besuar se të njëjtit, ishin futur në polici duke  pasur dosje kriminale.

Ai ka thënë se krahas kësaj, do duhej të hapeshin konkurse të reja.

“Unë e di se Marrëveshja e Brukselit ka futur njerëz me dosje kriminale që kanë qenë pjesëtarë të MUP-it, të grupeve kriminale si ‘Rojet e urës’ dhe sot kanë uniformën, e zhveshin sa herë kanë qef. Unë mendoj se nuk do të ishte mirë që ata të kthehen por duhet të hapen konkurse dhe të pranohen qytetarë të komunitetit serbë që do t’i shërbenin me devotshmëri Kosovës”, ka deklaruar ai në tv dukagjini.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se në një formë apo në një tjetër, vendimet e Kosovës do të zbatohen dhe Kosova do të dal fitimtare në raport me Serbinë.

Bajqinovci ka thënë se ndonëse nuk ka ide se çfarë i  është propozuar Kosovës, fitoren e kësaj të fundit nuk e ka në dyshim.

“Kosova prapë do të jetë fituese. Do të ketë takime në të ardhmen dhe besoj shumë se ky vendim i Qeverisë në një formë apo në një tjetër, ky vendim i Kosovës do të zbatohet”, ka deklaruar ai.

Krahas kësaj, ai ka thënë se presioni më i madh lidhur me situatën në Veri të Mitrovicës po vjen nga brenda vetit. Sipas tij, nuk ka debat ku analistët nuk kursejnë komentet për shkallëzim të situatës.

“Më  shumë ka presion nga brenda sesa nga ndërkombëtarët. Nuk ka medium ku nuk ulen analistët dhe thonë se pritet luftë… nuk është bash ashtu. Presioni më i madh po bëhet nga brenda”, ka deklaruar ai.

Krahas kësaj, ai ka thënë se shpreson që të realizohet një marrëveshje e cila do të evitonte përshkallëzimin e situatës nga serbët. Tek kjo e fundit ai ka përmendur rastet  e veturave të djegura nga serbë të drejtuar nga Beogradi i Serbisë.

Sipas tij, situatë nuk  po shtrohet në realitetin e saj gjersa është Serbia ajo e cila po e “kamuflon” situatën dhe se kjo e fundit po përdorë “tensionet” për të iu shmangur marrjes së vendimit. Por sipas Bajqinovcit, Kosova po zbato vetëm vendimet e marrëveshjes së Brukselit.

Lidhur me njoftimin e diskutimeve dhe rasteve të tjera për të cilat Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u kritikua nga opozita se nuk ishte transparent, Bajqinovci ka thënë se Kurti do të njoftoj Kuvendin e Kosovës në momentin e pare të diskutimeve në Bruksel, ato të cilat po i mohon Serbia.