fbpx

Avokati shqiptar e përkrah fuqishëm Kurtin për targat: “Ja çka do t’i sjellë vendimi i tij botës shqiptare në Ballkan”

HomeLajmeShqiperi

Avokati shqiptar e përkrah fuqishëm Kurtin për targat: “Ja çka do t’i sjellë vendimi i tij botës shqiptare në Ballkan”

Avokati shqiptar Spartak Ngjela, ka thënë se kryeministri i Kosovës po vepron drejt për çështjen e konvertimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës.

Ai ka thënë se nëse Kurti do të tërhiqej nga vendimi i tij për mos shtyrje të afatit për targa, përkundër presionit amerikan dhe evropian, do të duhej të jepte dorëheqje.

“Kam përshtypjen që Kurti po vepron drejt. Një kryeministër, po të tërhiqet nga vendimi i tij i drejtë kundrejt kundërshtarit historik të atdheut, Albin Kurti duhet të japë dorëheqjen. Nëse Kurti do tërhiqet nga vendimi i tij, kjo do të ishte një fyerje në dinjitet për të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, unë e përkrah Kurtin në vendimin e tij”, ka deklaruar Ngjela.

Qeveria e Kosovës ka shpalosur një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

Por, vendimi nuk u ka pëlqyer partnerëve ndërkombëtarë, sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kanë thënë se janë të zhgënjyera me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

SHBA ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS – Republika e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Duke komentuar këto qëndrime, avokati Ngjela ka thënë se këto vetëm sa e ndihmojnë Kurtin në vendimmarrje, pasi sipas tij, mos tërheqja e Kurtit nga vendimi i jep një valencë të re force Kosovës si dhe Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Politika amerikane që po e kërkon? Ky është një tjetër aspekt. Por, unë shoh që politika amerikane në këtë çështje nuk duket të jetë kategorike. Dhe kjo e ndihmon vendimmarrjen Kurti. Mostërheqja e Albin Kurtit, i jep atij dhe politikës së Prishtinës një valencë të re force në arenën ndërkombëtare. Dhe kjo forcë e re shqiptare është jo vetën në favor të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Historia e sotme e Shqipërisë kërkon që kjo kohë historike ta njohë forcën e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Po politika amerikane? Duke u nisur nga gjykimi që dhashë më lart, më duhet të theksoj se, forca e re e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, është edhe në favor të politikës amerikane për këtë zone”, është shprehur Spartak Ngjela për “Bota sot”.