Avokati serb Bozho Preleviq tha se të gjitha hulumtimet relevante, siç tregohet nga referendumi për ndryshimin e kushtetutës, konfirmojnë se po bie ‘rejtingu’ i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “fabrikimi i atentatit ndaj tij, prania e tij e vazhdueshme në të gjitha mediat, shkaktuan një ngopje të tillë, sepse njerëzit e panë që kjo nuk ishte e vërtetë.”
“Presidentin e kemi vetëm në media, nuk e kemi në shtet. Presidenti sulmohet dhe mbrohet vetëm në media, pushtetin e merr nga media. Nëse programi zhduket, ai nuk do të dinte çfarë të bënte. Meqë ra fjala, nuk e di as kur e bëjnë punën e tyre nëse janë vazhdimisht në televizion. Njëzet vjet më parë isha ministër dhe nuk e dija se ku duhet të shkoja më parë. Ai nuk ka asgjë tjetër prioritet veçse të jetë edhe më shumë në media”, ka thënë Preleviq.
Siç deklaroi ai, sa më shumë që Vuçiqi të jetë në media, “aq më shumë njerëzit mendojnë për të dhe për atentatet e tij të sajuara, ekzekutimet e sajuara”.
Duke iu përgjigjur ndërhyrjes së gazetarit se “këtë gjoja e ka raportuar Europoli”, Preleviq tha: “Por ia ka raportuar ministrit të Brendshëm, kur vazhdimisht i leh qenit zyrtar, i cili leh vetëm kur ndjen erë droge”.
“A e kuptoni kush e solli këtë lajm? Kjo është fortesa dhe qëndrueshmëria e atij lajmi. Ne nuk kemi parlament, nuk kemi media, ministër të Brendshëm, Kryeministër – kemi vetëm një person. Të gjithë po e mbrojnë këtë person, jo sepse e duan, por sepse e gjejnë interesin në të, për t’i bërë punët e tyre korruptive”, tha Preleviq.