fbpx

Audio-incizimi tregon se çarja përfundimtare e LVV-së, ndodhi kur Molliqaj akuzohej nga Kurti se donte ta eliminonte politikisht!

HomeLajmeKosovë

Audio-incizimi tregon se çarja përfundimtare e LVV-së, ndodhi kur Molliqaj akuzohej nga Kurti se donte ta eliminonte politikisht!

Dardan Molliqaj ishte një ndër personat e parë që dha dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2018, në kohën kur ndodhi përçarja e madhe e kësaj partie. Molliqaj atëherë e mbante pozitën e Sekretarit Organizativ. Kryeministri aktual, njëherit kryetar i LVV-së, Albin Kurti, e kishte akuzuar Molliqajn se po tentonte ta merrte drejtimin e partisë për ta eliminuar atë politikisht. Demokracia.com në publikimin e radhës të audio-incizimeve ekskluzive, sjell momentin kur Dardan Molliqaj ka dhënë dorëheqje nga LVV-ja, deri sa në një prej mbledhjeve të fundit mes kryesisë dhe grupit parlamentar ishte përmendur edhe Gjykata Speciale.

Lëvizja Vetëvendosje ishte ndarë në vitin 2018. Një pjesë e figurave mjaft të rëndësishme të këtij subjekti politik kaluan në Partinë Socialdemokrate.

Sot PSD-në e udhëheqë Dardan Molliqaj, i cili ishte ndër të parët që u largua nga LVV-ja.

Demokracia.com ka siguruar një audio-incizim ekskluziv nga mbledhjet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje para ndarjes së madhe, ku Dardan Molliqaj tregon sesi Kurti “ia kishte ngritur një aktakuzë”.

E gjithë kjo, siç dëgjohet duke thënë Molliqaj, kishte filluar kur ai i kishte thënë Visar Ymerit dhe Glauk Konjufcës se çfarëdo marrëveshje që e arrijnë me Kurtin, do ta kenë edhe pëlqimin e tij. Megjithatë, Kurti e kishte interpretuar ndryshe këtë, i cili më pas, sipas Molliqajt, propozimin e kishte cilësuar si aktakuzë të Molliqajt.

“Besoj që meqenëse Glauku kërkoi dhe është hera e parë që doli dhe kërkoi problemin, qysh e tha edhe Glauku, problemi ka filluar në tetor të vitit 2016, në një takim që na ka ftu Albini, ku i ka shpreh disa brenga për organizatën, disa shqetësime për neve, Teutën, Nolin, Zgjimin, që është pasu me takimin e radhës, ku u zgjeru që ka ardhë edhe Visari, Boiken Abazi, nuk e di nëse është shtu edhe dikush tjetër, e kështu më radhë. Pastaj janë mbajt disa takime, fillimisht unë, Liburni, Visari edhe Albini. Pastaj janë zgjeru me disa takime me Xhelalin, Aidën, Hysenin, Salihun. Dhe nëse e mban mend Glauk, besoj që e mban mend, unë ty edhe Visarit, diku prej janarit deri në qershor ju kam thënë çfarëdo marrëveshje që e arrini me Albinin, ama pa më thirr, pa më vet, prej meje e keni “bllanko”. Pastaj ju e keni bërë një marrëveshje, ti edhe Visari, të cilën ia keni çu Albinit, për më e mbyllë këtë temë. Edhe atë Albini e ka cilësu si aktakuzë ndaj meje, të cilën nuk e kam bërë unë. E keni bërë ju, pa më vet mu, pa e lexu unë dhe kështu. Ndoshta ka qenë aktakuzë, ndoshta ka qenë edhe e pasaktë. Unë e di një sen, që prej janarit deri në qershor dy njerëz në VV e kanë pas “bllanko” prej meje më e bo çfarëdo marrëveshje pa m’vet dhe ata dy njerëz janë Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca, edhe ti e dinë që u kanë kështu”, dëgjohet duke thënë Molliqaj.

Ish-sekretari organizativ i LVV-së në këtë audio-incizim të siguruar dëgjohet duke treguar sesi Kurti i kishte thënë se nuk duhet të jap dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Mbas qershorit jemi taku më 13-14-15 tetor, nuk e di, prapë ka qenë kjo përbërje edhe unë kam thënë se jap dorëheqje. Fillimisht e kisha lajmëru në takimin e parë të tetorit, pastaj disa mbledhje me rend. Disa njerëz mendonin që duhet me jep, disa mendonin që s’duhet me jep, Albini thojke që s’duhet me jep. Unë kam thënë që s’rri, megjithatë thanë rrini deri sa të kryhen zgjedhjet. E dini takimin e majit qysh shkoj, edhe aty thash që s’rri ma. Edhe në qershor jemi taku prapë bashkë në zyre mbrapa. Unë kam thanë që jepi dorëheqje dhe kam jep dorëheqje. I kam jep shpjegimet pse na nuk mundemi me e bë Qeverinë, jo pse s’dojmë, po se nuk mundemi. Për arsye që e kom mendu që kështu po vjen politika, edhe ata të tjerët, edhe Visari, edhe Glauku, edhe Albini, janë kanë të bindur që e bëjnë. Edhe në atë takim, unë kam thënë që unë dorëheqje po jepi, nuk besoj që problem është çka po thoni ju, por megjithatë po jepi. Nuk do të dalë ne media deri sa të (nuk dëgjohet), përveç një emisioni ku duhet me kallxu pse kom jep dorëheqje. Dorëheqja jem është publike, askund nuk kam kritiku askënd, kam fol mirë për organizatën. Misioni është që unë s’kom fol kërkund keq, as për organizatën”, ka thënë ai.

Molliqaj në këtë audio-incizim tregon dy arsyet që ia ndërruan qëndrimin karshi LVV-së dhe Albin Kurtit. Këtu, ai përmend edhe sesi LVV bënte “beteja” të vazhdueshme për sulme dhe eliminim politik të disa figurave të ndryshme.

Në një moment, Molliqaj dëgjohet duke thënë se LVV-ja ka kaluar nga argumentimi për një çështje dhe qëndrimet e saj, tek ajo se kush e thotë këtë. Ish-sekretari i kësaj partie këtu merr shembull dy çështje, atë të procesit të Berlinit dhe Gjykatën Speciale.

“Edhe unë çka kam parë, në dy mbledhjet e qershorit, që ma kanë ndërru qëndrimin tem për Lëvizjen Vetëvendosje edhe në raport me Albin Kurtin, janë dy. E para ka vazhdu beteja për sulmim dhe eliminim politik të njerëzve, që për mu është shumë problem në vetvete kjo, shembull për Visarin nuk është. Unë nuk mërzitna hiç për linçime, më kanë sha edhe më parë dikush tjetër, fare nuk e kam problem. Por, kam shenja që unë i lexoj, shembull që Glauku nuk m’i beson, të lëvizjeve të qëndrimeve politike. Kam pa që organizata ka kalu prej argumentimit pse duhet me e bë një çështje, pse duhet me e ndërru një qëndrim, pse duhet me e pru një qëndrim të ri, tek ajo kush pe thotë. Prej procesit të Berlinit, deri tash së fundi te Gjykata Speciale dhe mënyrën qysh e kemi argumentu. Tjetrën që e kam pa, që nuk është ndalë, se unë kom mendu që OK, Dardani i ka bo do gabime, s’ka ditë, organizata është keq, nuk jam përzi, s’kam ardh në zyrë, s’kam taku njerëz nëpër qendra, s’kam taku njeri hiç, kam nejt në banesë edhe në vende të tjera, e kom pa edhe kurrë s’kam mujt me kuptu, nëse dikush për dikon mendon që është në kuadër të shërbimeve të huaja kundër Vetëvendosjes dhe Albinit. Do me thanë, Albini u kon qaty ku është Shpendi ulë, atëherë unë gjithë qysh jam mësu në VV, edhe sot mendoj njëjtë, nëse ti mendon që e ka gabim, nëse mendon që për teke personale është diçka në rregull”, ka thënë ai.

Në audio-incizim, Molliqaj u rrëfen anëtarëve të LVV-së sesi Kurti i kishte thënë se ai po tentonte ta merrte drejtimin e partisë për ta eliminuar atë politikisht dhe se gazetari Baton Haxhiu e ish-shefi i sigurimit sekret serb, Jovica Stanishiq, ishin arsyeja për këtë.

“Albini më patë thanë bile, nëse ti dëshiron me u bë kryetar veç për qejf, unë s’e kisha pas problem, tha po ti po do me u bë kryetar për eliminimin e figurës time publike dhe një prej faktorëve që do me bë këtë, është Stanishiqi dhe Batoni. Edhe thash Albin, a e di unë këtë punë? Tha po, je i vetëdijshëm, nuk ki marrëveshje me ta, por e di këtë gjë. Thash OK Albin, me këto nuk paskemi çka me vazhdu se është diskutim që lidhet me çështjet e tjera, për dallim që m’tha se dikush ka marrëveshje me dikon prej ndërkombëtarëve për ty, po nuk po hi në atë temë. Unë kështu besoj, thelbi i kësaj përveç dallimeve që unë i besoj, nashta nuk janë të sakta, jo pernime, është që ka humbur besimi politik mes meje, Kurtit dhe disa të tjerëve. Nuk mendoj që Albini ka diçka personale me mu, ma merr menja që edhe ai beson që nuk kam unë diçka personale me të. Por, dallimin e shoh kështu. Albini mendon që unë jam nën ndikimin e shërbimeve të huaja, unë nuk mendoj se Albini është nën ndikim të shërbimeve të huaja, unë mendoj që problem është mënyra qysh Albini po e koncepton organizatën dhe ardhjen e tij në krye të organizatës. Nuk besoj që shenjat që i ka jep, janë shenja politike që unë pa reflektu muj me besu në to”, kishte thënë ai më tej në këtë mbledhje, që ishte mbajtur mes kryesisë dhe grupit parlamentar të LVV-së.

COMMENTS

x