Asnjë fjalë: Policia, Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë heshtin për mostrat e Deharit

2 minutes, 47 seconds Read

Policia, Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë, deri më tani s’e kanë thënë asnjë fjalë për gjetjen e disa prej mostrave të Astrit Deharit, pavarësisht insistimit të Nacionales për të marrë një përgjigje.

Nacionale pak më herët ka raportuar duke cituar burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, se një pjesë e mostrave janë gjetur tashmë.

“Janë gjetur disa mostra të Astrit Deharit. Ato janë gjetur në objekt dhe janë kthyer aty ku kanë qenë më herët.” – ka thënë ky burim.

Mediumit i është bërë e ditur se mostrat e gjetura janë të lukthit dhe të urinës, kurse të gjakut mungojnë ende.

Më tej, burimi ka treguar se për cilat mostrat bëhet fjalë.

“Mostrat që janë gjetur janë të lukthit dhe të urinës. Kurse të gjakut mungojnë. Prokuroria sot ka qenë këtu dhe i ka marrë provat e nevojshme.” – ka thënë i njëjti burim.

Po ashtu, për mediumin tutje është bërë e ditur se “komisioni për invertaizim i ka gjetur tek një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë, dje në fund të orarit të punës”.

Policia, Prokuroria dhe Ministria heshtin

Policia e Kosovës, ani pse është kontaktuar nga mediat, nuk ka kthyer ende përgjigje.

Po ashtu, kryeprokurori Blerim Isufaj shkurt ka deklaruar: “Nuk mund t’iu them asgjë tani”.

Ndërkohë, është kontaktuar edhe ministrja e Dretjësisë Albulena Haxhiu por ajo s’e ka hapur telefonin, derisa Genc Nimoni, shef i kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, drejtoi mediumin për kontakt të policia e prokuroria.

Zhdukja e mostrave

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar kishte nxitur reagime të shumta në vend.

Ministrja e Drejtësisë kishte suspenduar katër zyrtar të IML-së për këtë çështje, ndërsa prokuroria kishte nisur hetimet, duke intervistuar njerëz.

Në muajin e kalua Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se një numër i konsiderueshëm i personave janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve, për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.

“Ndërkaq, për rastin e zhdukjes së provave në çështjen Dehari, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve. Po ashtu, ju informojmë se kemi ndërmarr veprime konkrete që do të na ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. Për momentin nuk kemi ende persona të dyshuar në këtë çështje”, kishte thënë zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu.

Zhdukjen e këtyre mostrave edhe më dramatike e kishte bërë deputeti i VV-së, Haki Abazi.

Në një konferencë për medie, ai kishte deklaruar ka video-incizime që dëshmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Audio-incizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit e Dejona Mihalit për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit. Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit”, kishte thënë Abazi.

Për këto pretendime, deputeti Abazi ishte intervistuar nga prokuroria.

Publikime te ngjashme