Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili rezulton të jetë marrë më 14 tetor 2022, thuhet se Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe çështja kthehet në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte parashtruar ankesë, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak të shkeljes së ligjit penal dhe për shkak të vërtetimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.

Përgjigje në ankesë kishte paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci, ndërsa prokurori i Prokurorisë së Apelit kishte propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të aprovohet si e bazuar dhe që aktgjykimi i shkallës së parë të prishet dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe vendsoje.

Në vendim, thuhet se Gjykata e Apelit pas vlerësimit të pretendimeve ankimore ka gjetur se ankesa e prokurorit është e bazuar, për shkak se aktgjykimi i atakuar është i përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, arsyetimi i aktgjykimit është kundërthënës me vetveten dhe nuk është dhënë analiza dhe vlerësimi i qartë i fakteve vendimtare.

“Por, në arsyetim vetëm ceket se cilat prova janë administruar në shqyrtimin kryesor pa dhënë arsyetim të qartë dhe të plotë dhe rreth asaj se cili fakt është i vërtetuar dhe cili nuk është vërtetuar me këto prova”, thotë vendimi i Apelit.

Tutje, në këtë vendim thuhet se nuk është dhënë as arsyetimi se në çka e ka bazuar vendimin e vet Themelorja, gjatë zgjidhjes së çështjes juridike.

Apeli, po ashtu ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë nuk e ka vërtetuar as gjendjen faktike dhe atë nuk ka vërtetuar se me cilën ditë, nga kush dhe se çka është sekuestruar nga të pandehurit.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, do të bënte si të përshtatshëm se në çdo kohë dhe pa mëdyshje të vërtetohet dhe të provohet fakti se nga i cili i pandehur është sekuestruar sendi konkret, në këtë rast gazi lotsjellës. Mandej, të bëhet ekspertiza balistike në mënyrë se gjykata në bazë të deklaratës së ekspertit të balistikës të siguron të dhënat për atë se a është sendi i sekuestruar nga i pandehuri-gazi lotsjellës apo ndonjë gjë tjetër që e spërkatë si sprej, si parfum, sprej flokësh apo të ngjashme”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal.