Ambasada amerikane për Nacionalen: S’e bëmë ‘like’ qëllimshëm asnjë postim në 24 orët e fundit, po hetojmë

1 minute, 56 seconds Read

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka bërë një reagim pas lajmit se llogaria e saj zyrtare në Twitter kishte pëlqyer një postim të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, gjatë mbrëmjes së kaluar në një adresim vjetor para popullit serb, u shpreh se nëntë shtete kishin tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Këto pretendime të tij, i shpërndau edhe në llogarinë zyrtare në Twitter.

Vuçiq do t’i merrte mbi 1500 pëlqime në këtë postim, por mes tyre do të ndodhej edhe një i papritur nga… llogaria zyrtare e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Katherine Judd – zëdhënëse e ambasadës në Prishtinë – sqaroi se “asnjë postim në Twitter nuk ishte bërë me qëlllim “like” në 24 orët e fundit”.

“Llogaria zyrtare e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Twitter nuk e ka “pëlqyer” (bërë like) me qëllim asnjë postim në Twitter në 24 orët e fundit.” – tha ajo për gazetën.

Më pas, znj. Judd shtoi se Ambasada ishte duke e hetuar rastin për të “përcaktuar se çka kishte ndodhur.”

Nga Ambasada patën edhe një qëndrim tjetër për të shprehur ku thënë që qëndrimet nuk i shprehin përmes pëlqimeve në mediat sociale.

“Siç mund ta keni vërejtur më herët: kur kemi për ta artikuluar një qëndrim, e bëjmë këtë gjë përmes deklaratave zyrtare që kanë autor – jo përmes ‘pëlqimeve’ në mediat sociale.”

Vlen të theksohet që pas këtij ‘incidenti’ online të ambasadës amerikane kishte reaguar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja por edhe disa personalitete tjera publike.

E gjithë kjo bujë është bërë për shkak të rëndësisë së madhe që ka secili qëndrim i Shteteve të Bashkuara për vendin tonë.

Kujtojmë se presidenti serb Vuçiq gjatë adresimit të djeshëm u shpreh se nëntë shtete kishin tërhequr njohjen për Republikën e Kosovës. Këto shtete sipas tij janë: Somalia, Burkina Faso, Gabon, Estwatini, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet.

Publikime te ngjashme