Alarmi i AKI-së për veriun, a do të nxis Vuçiq destabilizim nga Rashka?

6 minutes, 12 seconds Read

Stërvitje me armë për ta destabilizuar veriun e Kosovës u tha se po zhvillohen ditët e fundit në Rashkë të Serbisë, afër kufirit me Kosovën. Pas disa incidenteve ku u dogjën disa vetura të serbëve, Qeveria tha se ekziston një brengë se Serbia do ta destabilizojë situatën, përkundër marrëveshjes së arritur së fundmi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takua me përfaqësuesit e serbëve dhe ka paralajmëruar një tjetër takim me Listën Serbe në Rashkë, pas të cilit ka thënë se do të merren disa masa.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka informacione që në Rashkë të Serbisë, pranë kufirit me Kosovën dy grupe po zhvillojnë trajnime për ta destabilizuar veriun, tha kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu të mërkurën para gazetarëve.

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në komunat veriore, Musliu tha se pjesëtarë të të ashtuquajturës Organizata për Mbrojtje Civile po trajnohen në Rashkë për gjuajtje me armë, në bashkëpunim me Listën Serbe.

“E ashtuquajtura Organizatë e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim edhe me Listën Serbe në vazhdim kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtarët e kësaj organizate po trajnohen në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë. Atje vazhdon djegia e veturave të qytetarëve serbë me targa RKS. Po ashtu linçimi dhe presoni është rritur ndaj qytetarëve serbë që nuk i binden Listës Serbe. Prandaj si shtet duhet të përgatitemi për çdo provokim të situatës që mos të na zë në befasi. AKI-ja po e kryen punë me sukses dhe e ka përkrahjen e Komisionit për veprime konkrete. Unë flas zyrtarisht si institucion. Është e konfirmuar që dy grupe janë duke u stërvitur në Rashkë e që mund të merren me veriun e Kosovës. Ka stërvitje, gjuajte me armë, taktizim”, ka thënë ajo.

Të nesërmen, zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi tha në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme se janë të brengosur se Serbia mund ta destabilizojë situatën në veri, pas djegies së disa veturave atje ditët e fundit.

“Ekziston një brengë që ka potencial nga ana e Serbisë që ta destabilizojë situatën, gjithmonë duke keqpërdorur temën e targave. Ju e keni parë javën e kaluar aktivitetin e shtuar të strukturave ilegale dhe kriminale në veri në djegien e veturave të qytetarëve serbë”, tha Bislimi të enjten.

Kjo erdhi pasi Bislimi tha se në mars u shtua gatishmëria e qytetarëve serbë për t’i konvertuar targat e veturave në RKS.

“Brenda pak ditëve janë regjistruar afërsisht një e dhjeta e veturave të cilat nuk kanë qenë të konvertuara ende dhe me atë ritëm shumë shpejt do të kishim mundur t’i konvertojmë shumicën absolute të targave ilegale në Kosovë. Situata ka ndryshuar në prag të takimit në Bruksel”, tha ai.

Çfarë paralajmëroi Vuçiqi

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se nuk do të ketë legjitimitet në komunat veriore të Kosovës pa pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.

Duke folur për situatën pas zgjedhjeve të 23 prillit, Vuçiq i tha televizionit publik serb javën e kaluar se ajo do të jetë “keq, sikurse nën okupim”.

“Kurti do ta drejtojë Mitrovicën e Veriut nga 24 prilli, dhe vetëm mendoni për ato autoritete dhe demokracinë e legjitimitetin, me 2 për qind të shqiptarëve që jetojnë aty. Do të jetë keq për serbët, sikurse nën okupim, ashtu do të jetë, prandaj njerëzit janë të shqetësuar. Çfarë mund të bëjnë ata? Çfarë duhet të bëj unë? A të dërgoj tanke? Nuk mund ta mposhti NATO-n, dhe nuk dua që ne të vdesim. Dua që gjërat të zgjidhen në paqe, të shkojnë drejt normalizimit”, tha ai.

Të nesërmen ai pati një takim me disa politikanë serbë të Kosovës. Pas takimit paralajmëroi se pas shtatë ditësh do të dalin me “konkluzionet e përbashkëta” lidhur me zgjedhjet në veri dhe “të gjitha ngjarjet e ardhshme”.

Konkluzionet ende s’u morën vesh, por pa dhënë detaje për takimin, Vuçiq paralajmëroi se konsultimet e radhës të “ekipeve të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve nga Kosova” do të mbaheshin në Rashkë dhe më pas do të dilnin me “platformë të përbashkët”.

Platforma, siç tha presidenti serb, do të përfshijë masa të sigurisë, masa politike, ekonomike dhe sociale. Por nuk ka saktësuar më shumë.

Në këtë takim mori pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar ndërkombëtar. Ai konsiderohet si një nga drejtuesit e strukturave kriminale në veri dhe është në kërkim nga autoritetet e Kosovës.

Tjetër takim të enjten

Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se të enjten do të mbahet takimi tjetër i përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe qeverinë serbe.

“Ne do të diskutojmë edhe konkluzionet politike që duhet të nxjerrim, për të parë se çfarë do të bëjmë dhe si do ta bëjmë në periudhën e ardhshme”, tha Petkoviq për TV Prva.

Takimin e paralajmëroi të dielën kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

“Ajo që është e tmerrshme dhe ajo që frikëson dhe shqetëson është se tensioni po rritet sërish. Numri i provokimeve është në rritje. Komuniteti ndërkombëtar është ende i heshtur”, tha ajo për TV Pink.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se institucionet po i bëjnë të gjitha përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbët në disa institucione kishin dhënë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim e automjeteve me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme fillimisht u planifikua të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo me rekomandimin e ndërkombëtarëve, ato u shtynë mes incidenteve të shkaktuara.

Lista Serbe ka thënë se s’do të marrë pjesë në zgjedhje pa u përmbushur dy kërkesat e tyre: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Bashkimi Europian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – nuk kanë kërkuar më që zgjedhjet të shtyhen. Ato këtë herë vetëm kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe që ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb dhe që mbështetet nga Beogradi, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.

Publikime te ngjashme