fbpx

Aksioni në shkollat e Ferizajt, Nagavci: Po e trajtojmë çështjen me prioritet

HomeLajmeKosovë

Aksioni në shkollat e Ferizajt, Nagavci: Po e trajtojmë çështjen me prioritet

Një aksion policor i zhvilluar rreth shkollave në Ferizaj ka rezultuar me sekuestrimin e disa armëve të zjarrit, thikave e mjeteve të tjera të dhunës.

Lidhur me këtë është deklaruar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se këtë çështje janë duke e trajtuar me prioritet.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se ka nevojë urgjente për reflektim sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve në shkolla.

“Falënderoj Policinë e Kosovës për aksionin e realizuar në afërsi të shkollave në Ferizaj, ku janë sekuestruar armë e mjete të dhunës. Nga ky aksion dhe këto gjetje mësojmë nevojën urgjente për reflektim në shoqërinë tonë sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve, përkatësisht fëmijëve tanë”, ka shkruar Nagavci.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se kanë themeluar Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e sigurisë në shkolla.

“Në Ministrinë e Arsimit po e trajtojmë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojmë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kemi themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale”.

Megjithatë, ka thënë se roli i mësimdhënësve në edukim është kyç, “duke qenë se janë ata pika e parë e kontaktit me fëmijët në shkollë”.

“Por, menaxhmentet e shkollave dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve”.

Tutje, Nagavci ka shtuar se janë duke punuar në mënyrë që të bëhen ndryshime strukturore në sistemi edukativ dhe arsimor.

“Por, fenomene si kjo nuk presin ndikimin afatgjatë të politikave arsimore. Duke qenë e vetëdijshme se ne ballafaqohemi me situata të vështira individuale, familjare, sociale e ekonomike, por, ju lutem prindërve që të mbajnë fokusin te fëmijët dhe të sigurohen se çdo gjë është në rregull me ta”.

“Një raport më i afërt institucion dhe familje jam e bindur se do ta përmirësojë këtë gjendje. Duhet të angazhohemi të gjithë. Bashkë për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!”, ka përfunduar ministrja Nagavci.

COMMENTS

x