Agresioni rus në harta, fitoret e mëdha të Ukrainës dhe betejat për Bakhmutin

3 minutes, 25 seconds Read

Më 24 shkurt, Rusia nisi një agresion të plotë kundër Ukrainës. Pas ditëve të para të rezistencës së ashpër të ukrainasve, ishte e qartë se plani rus për një fitore të shpejtë do të mbetet i  paplotësuar.

Në ditët e para të pushtimit, Rusia u përpoq të bënte depërtime të shpejta në drejtim të kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, qytetit të dytë më të madh Kharkiv dhe Kherson, dhe më pas Odesës në jug.

Përveç kësaj, një krah i sulmit supozohej të lidhte Krimenë e pushtuar më parë me pjesë të rajoneve Donetskut dhe Luhanskut.

Depërtimi drejt Kievit nga veriu ngeci në periferi, Bucha dhe Irpin, dhe Rusia nuk arriti të rrethojë kryeqytetin ukrainas.

Mbrojtja e Ukrainës në Kiev komandohej nga gjenerali Oleksandr Sirski, i cili organizoi me sukses mbrojtjen, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, sulmi në Kharkiv nuk dha rezultate. Rezistenca e ashpër e Kharkivit erdhi si një surprizë e veçantë, sepse Rusia besonte se shumica e popullsisë ruso-folëse do të ishte mikpritëse ndaj ushtrisë ruse. Sidoqoftë, pavarësisht nga gjuha, ukrainasit treguan patriotizëm dhe besnikëri ndaj atdheut të tyre.

Trupat ruse patën suksesin më të madh në jug, ku arritën të kalonin lumin Dnipro dhe të kapnin Khersonin, ‘kryeqytetin’ e vetëm të rajonit ukrainas që ata pushtuan. Pas rënies së Khersonit, ukrainasit arritën të ndalonin përparimin rus drejt Odesës, një port i rëndësishëm strategjik ukrainas.

Nga drejtimi i Krimesë në lindje, forcat ruse bënë një përparim dhe bashkuan forcat me njësitë nga Donetsku dhe Luhansku dhe e vunë Mariupolin nën rrethim.

Edhe pse Khersoni ishte në fakt suksesi më i madh në fazën e parë të luftës për Rusinë, në fazën e dytë ajo u shndërrua në fatkeqësinë më të madhe, pasi presioni i vazhdueshëm ukrainas i detyroi forcat ruse të tërhiqeshin dhe më 11 nëntor, ukrainasit çliruan qytetin.

Në fund të gushtit, Ukraina nisi kundërsulmin e saj të parë të madh që nga fillimi i sulmit gjithëpërfshirës të Rusisë ndaj vendit në shkurt, megjithëse Kievi u ankua se forcave të saj u mungonin armatimi i mjaftueshëm i rëndë perëndimor për të nisur një sulm vendimtar.

Me përparimin, në vetëm gjashtë ditë u çliruan 3000 kilometra katrorë territor, gjë që pas shtyrjes së rusëve nga afërsia e Kievit, ishte fitorja më e madhe e Ukrainës në atë kohë, transmeton Telegrafi.

Forcat ukrainase vazhduan të shtyjnë drejt lindjes, duke kapur qendrën e transportit të Limanit, pranë skajit verilindor të provincës Donetsk, të cilën ata e morën nga kontrolli rus më 1 tetor.

Fitorja e vështirë erdhi pas gati tre javësh beteje dhe hapi terrenin për një avancim ukrainas në Svatov, një qendër logjistike për Rusinë pasi trupat e saj humbën rajonin e Kharkivit në një kundërsulm të shpejtë ukrainas.

Në fazën aktuale, sytë e publikut botëror janë përqendruar në qytetin e Bakhmutit, të cilin Rusia po përpiqet ta kapë që nga vera e vitit 2022.

Operacionet sulmuese kundër këtij qyteti drejtohen kryesisht nga mercenarë të kompanisë private ushtarake ruse Wagner.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e shpalli Bakhmutin një kështjellë dhe së bashku me udhëheqjen ushtarake u mor vendimi për të mbrojtur qytetin me çdo kusht.

Forcat ruse janë përpjekur të depërtojnë në veri dhe të rrethojnë qytetin në jug, por aktualisht ka ende rrugë përmes të cilave ndihma mund të dërgohet në pjesën e kontrolluar nga ukrainas të qytetit.

Bakhmuti në fillim nuk u vlerësua si një qytet shumë i rëndësishëm, por burimet e mëdha që përfshinë të dy palët në pushtimin e tij, mbrojtja dhe humbjet që pësuan e bënë atë të kujtonte Betejën e Verdunit në Luftën e Parë Botërore. /Telegrafi/

Publikime te ngjashme