fbpx

Abuzimi fizik me nënën e dëshmorit në Pejë – nga arrestimet, deklaratat e familjarëve dhe reagimet

HomeLajmeKosovë

Abuzimi fizik me nënën e dëshmorit në Pejë – nga arrestimet, deklaratat e familjarëve dhe reagimet

Një ngjarje e rëndë është paraqitur të mërkurën, ku një e moshuar është sulmuar fizikisht në një shtëpi të moshuarve në Pejë.

Rasti ka ngjallur reagime të shumta të shoqërisë në vend, ndërsa deri tani janë arrestuar e dyshuara që përdorë dhunë ndaj të moshuarës, përgjegjësja kryesore e shtëpisë së pleqve në Pejë si e dyshuar për mosraportim të rastit si dhe është ndaluar edhe personi i tretë për incizim të paautorizuar.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet se si disa punonjëse të kësaj shtëpie kanë sulmuar fizikisht një grua të moshuar, derisa njëra prej tyre është treguar e pamëshirshme duke e goditur me shuplaka vazhdimisht.

“Pak jam tu ja hi, qysh di me sjell unë”, dëgjohet infermierja e cila shihet derisa e godet me shuplaka, kurse koleget e saja dëgjohen duke qeshur.

E moshuara në fjalë është nëna e dëshmorit Taulant Nura nga Gjakova, i cili ka rënë heroikisht në Qabrat të Gjakovës bashkë me dëshmorin nga Peja, Ahmet Gjikolli.

Aurona Pelaj, e dyshuara kryesore e cila shihet në video derisa e godet gruan e moshuar, në polici ka deklaruar se ka qenë duke u vetëmbrojtur.

Nga Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të arrestuarat dhe të përfshirët në ngjarje janë të profesionit infermiere, të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë.

Oda e Infermierëve kanë thënë se nëse personat e përfshirë janë anëtarë të OIK-së, do të veprohet konform legjislacionit në fuqi.

Ndërkaq, Komuna e Pejës nuk ka pranuar të marrë përgjegjësi për rastin e rëndë që ka ndodhur në një shtëpi për të moshuar në këtë qytet, ku është ushtruar dhunë fizike ndaj një të moshuare nga stafi.

Kjo pasi sipas tyre, institucioni është privat, ndërsa toka i është dhënë në shfrytëzim nga komuna.

Rasti i së moshuarës – arrestimet, Policia merr autorizim për intervistimin e stafit dhe pacientëve

Pas qarkullimi të një video-incizimi, ku shihet derisa keqtrajtohet mizorisht një grua e moshuar në nj qendër për të moshuar në Pejë, policia dhe prokuroria e kanë filluar punën menjëherë për t’u marrë me rastin.

Fillimisht, u arrestuar vajza e cila shihej duke përdorur dhunë fizike ndaj gruas, si dhe si dhe përgjegjësja kryesore e shtëpisë së pleqve në Pejë si e dyshuar për mosraportim të rastit.

Pos këtyre dy personave, është ndaluar edhe personi i tretë për incizim të paautorizuar.

Policia e Kosovës, është autorizuar që ta intervistojë të gjithë personelin e Qendrës për të Moshuar ku ka ndodhur rasti dhe po ashtu të gjithë pacientët e kësaj qendre.

Shoqërohet dhe lirohet burri i njërës prej infermiereve të suspenduara në qendrën e të moshuarve në Pejë, kërcënoi stafin

Videot e siguruara nga RTV Dukagjini tregojnë Policinë e Kosovës duke shoqëruar një person i cili është një familjar i njërës nga të suspenduarat. I njëjti kishte kërcënuar stafin.

Videot tregojnë Policinë e Kosovës duke shoqëruar një person i cili është bashkëshorti i njërës prej infermiereve të ë suspenduara.

Ai është arrestuar pasi dyshohet që e ka kërcënuar pronarin e kësaj qendre, Anton Rasaj.

I njëjti kishte kërcënuar stafin dhe më vonë, ishte shoqëruar në polici.

Dhuna fizike ndaj të moshuarës në Pejë, suspendohen nga puna katër infermiere

Shtëpia e të Moshuarve në Pejë “Orenda” ku ndodhi sulmi fizik ndaj të moshuarës, ka bërë të ditur se ka suspenduar nga puna katër infermierët të përfshira në këtë rast.

Suspendimi i tyre është bërë pasi nuk e kanë lajmëruar rastin tek përgjegjësit.

“Pas njoftimit për sjelljet e pahijshme të punëtores A.P (ushtrim i dhunës ndaj banueses në kohën e kujdestarisë) merret vendimi si më lartë. A.P suspendohet nga puna për veprën e bërë, ndërsa A.R, R.K dhe G.N për faktin se kanë qenë në ndërrim bashkë me A.P por nuk e kanë lajmëruar rastin tek përgjegjësit”, thuhet në vendim.

Bija e të moshuarës që u keqtrajtua në qendrën e të moshuarve: Kam parë shenja, por nuk kam besuar se mund të ndodh diçka e tillë

Zhaneta Nura e cila është e bija e të moshuarës që është keqtrajtuar, në një rrëfim për RTV Dukagjinin ka thënë se është tronditur rëndë nga ngjarja në qendrën e të moshuarve.

“Nuk kam fjalë për ta përshkruar dhimbjen, pas rastit që ka ndodhur. Unë para disa ditëve kamë parë shenja dhune, por as që më ka shkuar në mendje se mund të ndodh dhunë në një qendër që pretendonte se kishte standarde zvicerane”.

“Shpresojë që drejtësia të veprojë. Nënës sime i ndodhi, por shpresoj të mos i ndodh askujt”.

Ajo thotë se qysh në momentin e dorëzimit nuk ka parë shumë trajtim të mirë.

Pronari i qendrës “Orenda”, ishte në dijeni për keqtrajtimet që ishin bërë ndaj të moshuarve

Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të Moshuar “Orenda” në Pejë, para gazetarëve është shprehur i shqetësuar dhe ka kërkuar falje për pamjet e rënda të rastit që ka ndodhur në këtë qendër.

Ai thotë se kanë vendosur të investojnë në vendlindje që të kenë mundësi më shumë qytetarë për vende pune, por që sipas tij ky rast tashmë i ka lënë të befasuar duke pasur parasysh se bëhet fjalë për kujdesin që duhet treguar ndaj prindërve të familjarëve.

Por, Rasaj ishte në dijeni për rastet e keqtrajtimeve ndaj të moshuarve në këtë qendër.

Për keqtrajtim ndaj të moshuarve në qendrën ‘Orenda’, para një viti qytetari kishte çuar ankesë në Ministrinë e Punës  

Qytetari Tomor Hasani, ka bërë të ditur për Telegrafin se me datën 20.09.2021 përmes një e-maili, ka çuar ankesë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për keqtrajtimet që iu janë bërë vazhdimisht të moshuarve në “Orenda”.

Sipas tij, pikërisht pronari i qendrës “Orenda”, Aton Rasaj, i ka bërë presion që ta tërheq ankesën nga ministria në fjalë.

“Fatkeqësisht pas ankesës time nuk është marrë asnjë masë nga institucioni në fjalë. Përkundrazi fëmijëve të familjares time që është e vendosur aty, u është bërë presion nga pronari i kësaj qendre Anton Rasaj, që të më bind ta tërheq këtë ankesë”, ka thënë Hasani.

E përkundër ankesës që kishte bërë, MPMS nuk kishte marrë masa ndëshkuese. Madje, ai thotë se as nuk kishte marrë përgjigje nga ministria.

Prokurori Juniku: Kemi informata që mund të jetë ushtruar dhunë edhe te personat e tjerë

Dorian Juniku, prokuror i Prokurorisë së Pejës, në Debat Plus, ka bërë të ditur se prokuroria ka informata se në Qendrën e të moshuarve në Pejë, mund të ketë raste të tjera të dhunës, edhe ndaj të moshuarve të tjerë, përveç asaj që u raportua gjatë ditës së mërkurë.

Juniku theksoi se prokuroria është ende në fazën hetimore, dhe se nuk do të ndalen derisa ky rast të zbardhet.

“Jemi në fazën fillestare hetimore, që në fund të kompletojmë rastin dhe të kemi një pasqyre të qartë se çfarë ka ndodhur, nuk do të ndalemi deri sa të sqarohet i gjithë rasti”, ka thënë ai.

“Është autorizuar policia, që të vazhdojë edhe të personelit, por edhe të tjerëve që janë vendosur aty. Kemi dyshime që këto raste mund të kenë ndodhur edhe më herët”, ka vijuar ai.

Për këtë rast janë arrestuar tre persona. Aurona Pelaj, e dyshuara kryesore e cila shihet në video derisa e godet gruan e moshuar, në polici ka deklaruar se ka qenë duke u vetëmbrojtur.

Babai i infermieres që keqtrajtoi të moshuarën: I kërkojmë falje publike familjes Nura dhe popullit shqiptar

Babai i infermieres që e sulmoi fizikisht të moshuarën në Pejë, Naim Pelaj, ka kërkuar falje publike për veprimin e së bijës.

Ai i ka kërkuar falje publike familjes së të moshuarës Nura nga Gjakova, duke thënë se pamjet e publikuara e kanë goditur rëndë atë dhe familjen.

“E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë, Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin qe ju ka shkaktuar vajza jonë”, ka thënë Pelaj.

“E di që po kaloni momente të rënda, por na lejoni që t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë”.

Pelaj ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të merren me rastin në fjalë

“Gjithashtu, në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat, për të cilat e ngarkojnë”, ka thënë Pelaj për Klan Kosovën.

Nijazi Gashi: Kjo që pamë në Pejë ishte abuzim individual, shoqëria jonë po abuzon edhe më rëndë me moshën e tretë

Nijazi Gashi nga Shoqata e Pensionistëve ka thënë se skandali me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj një të moshuareje është më i madh se që duket.

Ai në RTV Dukagjini thotë se në video shihet se një person ushtron dhunë ndaj të moshuarës, derisa tre të tjerë heshtin dhe nuk ndërhyjnë.

“Kjo i bie që asnjëri ndaj këtyre katërve nuk është normal. Një njeri normal nuk bën vepra të tilla dhe njerëzit normal ndërhyjnë. Njeri në afekt mund edhe të bëjë vrasje, por në asnjë rrethanë nuk lehtësohet sjellje e këtyre infermiereve”.

Gashi thotë se problemi është shoqërorë.

“Ku e kanë mbaruar këto infermiere shkollimin. A kanë dëgjuar për etikën profesionale”, ka shtuar përfaqësuesi i shoqatës së pensionistëve.

Përfaqësuesi i pensionistëve thotë se kësaj kategorie po i bëhet padrejtësi nga shteti e shoqëria.

Ndryshe, lidhur me rastin kanë reaguar krerët e shtetit, deputetë e pjesëtarë të shoqërisë civile, ku është kërkuar nga organet e rendit të merren urgjentisht me rastin./Telegrafi