fbpx

AAK kërkon nga pozita ta votojnë ligjin për pensionistët kontributdhënës

HomeLajmeKosovë

AAK kërkon nga pozita ta votojnë ligjin për pensionistët kontributdhënës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në konferencën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të pozitës për plotësim-ndryshimin e ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Deputeti Shemsedin Dreshaj ka thënë se me këtë propozim parashihet të largohet “neni diskriminues” i këtij ligji, i cili parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vite përvojë pune para vitit 1999 në mënyrë që të përfitojë pensionin kontributdhënës.

Dreshaj ka njoftuar që kjo nismë do të hidhet në votim në seancën plenare të së enjtes dhe ka kërkuar nga gjithë deputetët ta mbështesin.

“Me propozimin që ne kemi iniciuar, parashihet që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar para datës 1 janar 1999. Siç e dini, kemi raste kur për një ditë, dikush që nuk ka arritur t’i bëjë 15 vite nuk e gëzon pensionin e merituar”, është shprehur Dreshaj.

Dreshaj tha se beson se kjo iniciativë do të mbështetet edhe nga grupet tjera parlamentare e sidomos edhe nga partia që ka shumicën në Kuvend.

“Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshëm nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm. Sa për informatë, kjo nismë legjislative ka kaluar të gjithë hapat e domosdoshëm, madje edhe llogaritjen e kostos buxhetore”, ka shtuar Dreshaj.

“Kërkesa jonë si grup parlamentar është që të ndalet ky diskriminim. I kërkojmë mbështetjen gjithë kolegëve deputetë që t’i japin mbështetje këtij ligji”, ka përfunduar Dreshaj.

x