fbpx
HomeLajmeKosovë

AAK dhe Nisma nuk e përkrahin mocionin e VV-së për rrëzimin e qeverisë

Përkundër përçarjeve të fundit ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, kjo e fundit e cila është pjesë e këtij koalicioni qeverisës nuk pritet ta përkrahë mocioni për rrëzimin e qeverisë Hoti.

Madje në këtë parti nuk besojnë se Lëvizja Vetëvendosje do t’i sigurojë votat për rrëzim të qeverisë aktuale.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj për KosovaPress ka thënë se koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë, dhe se nuk beson që Lëvizja Vetëvendosje do t’i sigurojë votat për rrëzim të qeverisë Hoti.

I pyetur se a do votojnë pro këtij mocioni të mosbesimit për shkak të përçarjeve të fundit për dialogun në mes të AAK dhe LDK-së, Selmanaj tha se si AAK e kanë në traditë që marrëveshjet me partitë e koalicionit t’i respektojnë deri në fund.

“Gjithmonë opozita e ka si detyrë jo vetëm me kritikua qeverinë por edhe me mund me rrëzua është demokratike, por që ne si koalicion jemi duke funksionuar mirë, ndërsa Vetëvendosje e ka të drejtën e vetë….Unë mendoj që jo sepse qeveria është duke funksionuar normal….Jo në traditën e Aleancës ne kur mbërrijmë marrëveshje atë e respektojmë deri në fund vetëm nëse partnerët nuk e respektojnë marrëveshjen është çështje tjetër por ne si parti i rrimë deri në fund marrëveshjes”, tha ai.

Tutje ai tha se presin që Lidhja Demokratike e Kosovës të reflektojë karshi shqetësimeve të këtij subjekti politik.

“Ato që ne i kemi shprehur si shqetësime nga ne dhe kryetari jonë normal që kemi të drejtë, dhe presim që me reflektua në proceset përpara dhe jemi të bindur se do ndodh ashtu”, tha Selmanaj.

Gjatë ditës së sotme Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve.

Për mocionin e ngritur nga Lëvizja Vetëvendosje për rrëzim të qeverisë Hoti, nuk ka vota për të dhënë edhe Nisma Socialdemokrate e cila është pjesë e këtij koalicioni qeverisës.

Kështu ka deklaruar për KosovaPress deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, i cili tha se Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë të inicioj mocion për rrëzim të qeverisë.

“Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë me nis një mocion, është e drejtë e tyre me nis mocion. Nisma Socialdemokrate është pjesë e këtij koalicioni qeverisës dhe nuk e përkrah një mocion të tillë të ngritur nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.

Nga sot Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzim të koalicionit qeverisur në krye me Avdullah Hotin. Për këtë mocion mosbesimit në PDK thonë se ende nuk kanë qëndrim.

COMMENTS

x