fbpx

A fitoi Kosova përballë Serbisë? Gjithçka çfarë ndodhi sot rreth referendumit serb

HomeLajmeKosovë

A fitoi Kosova përballë Serbisë? Gjithçka çfarë ndodhi sot rreth referendumit serb

Serbia është tërhequr nga tentimi për të mbajtur referendumin në qytetet me shumicë serbe në Kosovë. Ky vendim i shtetit serb ka ardhur pasi në Kuvendin e Kosovës u votua një Rezolutë kundër Referendumit serb në komunat me shumicë serbe, por që lejonte votimin e serbëve të Kosovës nëpërmjet postës dhe zyrës ndërlidhëse.

Krerët e institucioneve të Kosovës dje pas takimit me ambasadorët e QUINT-it nëpërmjet një komunikate të përbashkët shprehen qëndrimin e unifikuar kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Edhe partitë opozitare në Kosovë e përkrahën vendimin e institucioneve, ndërsa vendet e QUINT-it kërkuan që i njëjti të mbahet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti menjëherë pas takimit me QUINT-in thirri seancë të jashtëzakonshme parlamentare lidhur me këtë çështje.

Në seancën e mbajtur sot në ora 14:00, Lëvizja Vetëvendosje propozoi një rezolutë që kundërshtonte mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, ndërsa mori përkrahjen edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës s’mori pjesë në seancë.

Me 76 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë kundër, rezoluta u miratua. Në këtë rezolutë, thuhej se mbajtja e referendumit cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës e gjithashtu është kundërkushtetuese dhe kundër ligjeve të Kosovës.

Në njërën nga pikat e rezolutës gjithashtu thuhej se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet konform ligjeve në fuqi për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit, ndërsa kjo rezolutë pati konsekuencat e veta.

U raportua për vendosje të forcave të shtuara të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it nëpër rrugët të cilat çojnë në qytetet veriore të Kosovës, ndërsa gjithashtu u paralajmërua se me asnjë kusht nuk do të lejohet mbajtja e referendumit. Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës parakaluan në Mitrovicën e Jugut si shenjë gatishmërie për ta mbajtur situatën nën kontrollë.

Pas kësaj, mediat serbe raportuan se Këshilli Zgjedhor i Serbisë ka vendosur që votuesit nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë dhe Vranjë.

Sipas asaj që shkruhet në Novosti, ky vendim ka ardhur pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës kundër mbajtjes së këtij referendumi në Kosovë.

Në Vranjë, siç shkruan Novosti do të votojnë votuesit nga komuna e Vitisë, Gjilanit, Kamenicës dhe Novobërdës. Në Novi Pazar votuesit nga Istogu, Klina, Peja, Prizreni dhe Rahoveci. Në Kurshumli votuesit nga Fushë Kosova, Lipjani, Prishtina, Ferizaji, Shtërpca dhe Obiliqi. Ndërsa në Rashkë ata të Vushtrisë, Zveçanit, Zubin Potokut, Mitrovicës dhe Leposaviqit.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar një rezolutë kundër mbajtjes së referendumit në Kosovë, por duke lejuar që serbët e Kosovës të votojnë me postë.

Reagime pati edhe nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Ajo ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë se vendimi i Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, tregon se kryeministri i Kosovës Albin Kurti qëndron për opsionin “jo” në referendum dhe kështu kundër Serbisë së fortë.

“Natyrisht, Kurti do të ishte jashtëzakonisht i lumtur nëse nesër do të fitonte opsioni ‘jo’ sepse është e qartë se serbët në Kosovë do të votonin ‘po’. për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, për sundimin e ligjit, për një Serbi më të fortë”, tha ajo për RTS.

Brnabiq gjithashtu theksoi se vendet e QUINT-it kanë treguar se nuk mund ose nuk duan t’i bëjnë asgjë Kurtit, pasi ato vende thanë se kanë bërë më të mirën, por se nuk bënë asgjë.

“Prandaj mendoj se duhet të kthehemi tek e vjetra, “në duart tona” dhe të punojmë me popullin serb në Kosovë dhe do të punojmë me ta deri në lirinë përfundimtare”, tha ajo.

Përfundimisht nuk dihet nëse Serbia do të tentojë të mbajë referendumin nesër në Kosovë dhe kjo mbetet të shihet, por sot në mëngjes janë kapur disa pako me materiale zgjedhorë në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë.

COMMENTS

x