fbpx

A do të vazhdohen targat ilegale? – Kosova dhe Serbia me versione të ndryshme për targat

HomeLajmeKosovë

A do të vazhdohen targat ilegale? – Kosova dhe Serbia me versione të ndryshme për targat

Pala kosovare dhe ajo serbe të mërkurën e 23 nëntorit kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave. Kryenegociatorët, Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviqi i Serbisë, u dakorduan në Bruksel për punën e targave. Megjithatë, aktualisht nuk dihet saktë nëse targat ilegale do të vazhdohen apo jo?

Dy kryenegociatorët, ai i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq kanë dhënë versione të ndryshme sa i përket marrëveshjes për targat.

Bislimi thotë se tabelat ekzistuese të prodhuara në Serbi, nuk do të prodhohen dhe nuk do të vazhdohen. Ndërsa, Petkoviqi thotë që tabelat do të vazhdohen, por nuk do të prodhohen.

Siç ka thënë Bislimi, sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia do të pushojë së lëshuari tabela të regjistrimit me denominime të qyteteve të Kosovës, ndërsa Kosova do të pushojë së vendosuri gjoba.

“Pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka thënë Bislimi.

Sipas Petkoviq, kjo tregon se nuk do të ketë politikë ndëshkuese ndaj serbëve që vozisin vetura me targa ilegale.

“Fjala është për targa që janë të ligjshme ngase i lëshon ligjshëm Republika e Serbisë dhe të cilat serbët në Kosovë do të mund t’i përdorin. Ato edhe më tutje do të jenë në përdorim, siç kanë qenë deri më tash. Kjo ndër të tjera do të thotë se absolutisht të gjithë pronarët e automjeteve që posedojnë targa KM do të mund t’i regjistrojnë dhe t’i zgjasin regjistrimet e veturave të tyre me targa KM”, ka deklaruar Petkoviq.

Ndryshe, Serbia ka 3 vjet që nuk lëshon targa të reja me KM, PZ etj, vetëm i mirëmbana ato që i ka lëshuar.

Kujtojmë se marrëveshja u arrit pas shtyrjes për 48 orë të fazës së dytë të vendimit për targat, që ishte masa e gjobitjes për shoferët me targa ilegale.