fbpx

A do të largohet vërtet Lista Serbe nga Qeveria e Kosovës?

HomeLajmeKosovë

A do të largohet vërtet Lista Serbe nga Qeveria e Kosovës?

Përfaqësuesit e Listës Serbe në katër vjetët e fundit, për shumë arsye, së paku një herë në vit paralajmëronin braktisjen e institucioneve të Kosovës, por gjithçka përfundoi vetëm me njoftime. Mirëpo, mesazhi i fundit i kryetarit të kësaj partie është se ata do të largohen nga institucionet kur këtë e kërkojnë njerëzit që i kanë zgjedhur.

Kur e ka kërcënuar Lista Serbe me largim nga Qeveria e Kosovës?

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë paralajmëruar se do të largohen nga Qeveria e Kosovës për herë të parë pas arrestimit të Marko Gjuriqit në Mitrovicën e Veriut në vitin 2018. Megjithatë, ata nuk e bënë këtë zyrtarisht atëherë. Më pas ata paralajmëruan braktisjen e institucioneve të Kosovës në fillim të vitit 2019 për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia. Pastaj presidenti serb Aleksandar Vuçiq u kërkoi atyre që të prisnin 45 ditë. Pas kësaj, nuk u fol më për këtë. Në fund të të njëjtit vit, Lista Serbe shpalli daljen nga institucionet nëse, siç deklaruan në atë kohë, aktgjykimi ndaj Ivan Todosijeviqit do të mbetet në fuqi. Për shkak të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përfaqësuesit politikë të serbëve paralajmëruan daljen e tyre nga institucionet e Kosovës në tetor të vitit 2020.

Edhe viti i kaluar 2021 nuk kaloi pa paralajmërim për largim nga institucionet. Më pas kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, ka paralajmëruar se do ta bëjë këtë “nëse deri në fund të vitit nuk formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”.

Në mars të këtij viti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se përfaqësuesit e Listës Serbe njëzëri kërkuan dorëheqjen e menjëhershme nga institucionet e Kosovës, por ai, siç kishte paralajmëruar në atë kohë, u kërkoi atyre “durim, durim dhe numërim deri në dhjetë”.

Paralajmërimi i fundit për largimin e përfaqësuesve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës u bë dy ditë më parë, kur kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, tha se do ta bëjë këtë “në momentin që ta kërkojë populli serb”.

“Natyrisht që ata duhet të largohen, nëse kjo nuk bëhet, ne nuk kemi mënyrë tjetër të luftojmë, është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen. Ata nuk mund të marrin pjesë në institucione që punojnë kundër serbëve dhe që ne të legalizojmë pushtetin e tyre”, ka thënë një nga banorët e Graçanicës për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

“Mendimi im është se duhet ta bëjnë. Më duket se nuk po e menaxhojnë mirë këtë politikë”, u pajtua një tjetër.

“U bëj thirrje atyre që të largohen, nëse janë serbë të vërtetë. Sa më përket mua, nëse do të punoja, do të isha i pari që do të largohesha”, kanë përfunduar qytetarët e intervistuar.

Çfarë thonë analistët?

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, ka thënë se përfaqësuesit e Listës Serbe është dashur të largohen shumë kohë më parë nga institucionet e Kosovës, sepse, populli nuk përfiton nga pjesëmarrja e tyre. Duke komentuar deklaratën e Goran Rakiqit se Lista Serbe do të largohet nga institucionet kur ta kërkojë populli, Rashiq thekson se është në pyetje një trillim.

“Këtë e bën vetëm Vuçiqi dhe të gjithë të tjerët e kopjojnë, nëse e thotë populli, dhe përsëri, nëse e thotë populli, e nga ana tjetër ata vjedhin 99 për qind të votave. Është thjesht një trillim të cilin e kanë mbajtur në mend dhe e përsërisin si papagall. Nëse njerëzit do të pyeteshin, ata do të thoshin tani duhet të largoheni”, ka thënë Rashiq, përcjell Paparaci.

Mirëpo, drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Kasa”, Miodrag Marinkoviq, është i mendimit se serbët nuk duhet të largohen nga institucionet e Kosovës. Ai tha se “kërcënimet” e përfaqësuesve të Listës Serbe për largim nga institucionet janë pasqyrim i paaftësisë së tyre për të luftuar institucionalisht “për interesat e serbëve”.

“Unë nuk mendoj se duhet të largohen nga institucionet, mendoj se duhet të shfrytëzohen maksimalisht mekanizmat institucionalë që janë në dispozicion dhe të bëhen përpjekje shtesë që këto probleme të zgjidhen përmes institucioneve. Çdo gjë e kundërt çon në një përkeqësim të mëtejshëm të situatës në terren”, ka pretenduar Marinkoviq.

Në institucionet qendrore të Kosovës, Lista Serbe aktualisht ka një ministër në Qeverinë e Kosovës dhe 10 deputetë.

Në nivel lokal, të dhjetë kryetarët e komunave me shumicë serbe janë nga Lista Serbe, parti kjo që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar./Paparaci

COMMENTS

x