fbpx

Intervistë me koreografin e njohur Xhemali Berisha – “50 VJET KONTRIBUT NË KOREOGRAFI”

HomeKulturë

Intervistë me koreografin e njohur Xhemali Berisha – “50 VJET KONTRIBUT NË KOREOGRAFI”

Intervistë me koreografin e njohur Xhemali Berisha

50 VJET KONTRIBUT NË KOREOGRAFI

Intervistoi: Demir Reshiti

Madhështia e njerëzve të artit e të kulturës, fiton më shumë në peshë, sidomos kur ata me përkushtim e vazhdojnë punën edhe në mërgatë. Në mesin e tyre është edhe opojani Xhemali Berisha, koreografi i parë i Ansamblit Kombëtar “Shota”, aktualisht koreograf në Ansamblin “Gëzuar” në Gjenevë.
Mbi dy dekada më parë, koreografi Berisha është larguar nga Kosova dhe veprimtarinë e tij, si koreograf i valleve shqiptare, e ka vazhduar në Gjenevë të Zvicrës. Atje ai ka themeluar një ansambël që quhet Ansambli “Gëzuar”, i cili, ka dhjetëra fëmijë shqiptarë, të cilët mësojnë vallen dhe traditat shqiptare.
Xhemaliu paralelisht veproi në dy relacionet. Kjo më së miri u dëshmua në vitin 2014 në 50 vjetorin e Ansamblit “Shota”, kur Xhemaliu doli me një koreografi të re e cila u mirëprit nga publiku i shumtë artdashës…

Pikërisht Ansambli “Shota” drejtor artistik i të cilit ishte Xhemaliu në vitet më të ndritshme, më datën 9 nëntor 2022, në Sallën e Kuqe të Pallatit të rinisë në Prishtinë shfaqi një PEJSAZH KOREOGRAFIK – retrospektivë 50 vjeçare e punës së Xhemali Berishës. Ishte ky një mozaik koreografish autoriale të realizuara ndër vite, që u përgatit nën përkujdesjen e drejtorit artistik Ylber Asllanaj.

Për ta nderuar këtë personalitet të rëndësishëm të kulturës, kishin ardhur një numër i madh opojanësh që jetojnë në Prishtinë por edhe nga Prizreni e Opoja…

Ardhjen e Xhemaliut në Prishtinë e shfrytëzuam për ta realizuar një intervistë. Koreografi Berisha në këtë intervistë flet për karrierën e tij artistike, aktivitetet në kulturore që bën mërgata shqiptare në Zvicër, angazhimi i tij konkret në këto aktivitete, bashkëpunimin e tij me Ansamblin “Shota” me rastin e 50 vjetorit të themelimit, lidhjen emocionale me vendlindjen e tij Opojën, etj.

Berisha do te ishte me interes të na flisni për hapat e parë të karrierës suaj.

Berisha: Fillimisht ju falënderoj për mundësinë që po me jepni që përmes kësaj interviste të komunikoj me dashamirët e kulturës në përgjithësi dhe të valleve në veçanti. Gjithsesi pas shkollës se mesme të muzikës që e kam kryer në Prizren, doja që t’i ndiqja studimet në shkollën e lartë të muzikës atëherë në Prishtinë dhe duke dashur që të merrem me aktivitetin tim të këngës që ushtroja atëherë me ansamblin “Emin Duraku” të Zhurit, u drejtova në dyert e ansamblit “Shota”. Në vitin 1971, aty më pranuan si këngëtar dhe si violinist në orkestrën e ansamblit dhe me ndihmesën, pikërisht me përzgjedhjen e drejtorit të atëhershëm Skender Gjinali, më dërguan në Institutin e arto-koreografisë në Sofje të Bullgarisë dhe aty i kreva studimet për tu kthyer drejtpërsëdrejti në Ansamblin “Shota”. Kjo për mua, t’iu them të drejtën ishte përgjegjësi shumë e madhe të ballafaqohem me një institucion, i cili vjelte material nga tereni, zbërthente material nga tereni pas një analize dhe duhej që t’i vendoseshe ato në programin e Ansamblit “Shota”.

Çfarë ju shtyu të studioni pikërisht koreografinë, dhe pse u përcaktuat ta bëni këtë pikërisht në Bullgari?

Berisha: Dihet se në vitet e 70-ta në Kosovë kishte një mangësi shumë të madhe të koreografeve dhe e dyta ishte se koreografia është një fushë shumë e gjerë e cila përmbledh vallen, muzikën, kostumin dhe shumë rite, zakone nga tradita shume a pasur shqiptarë.
Në Bullgari sepse nuk ekzistonte asnjë shkollë e lartë apo fakultet i koreografisë së folklorit. Gjithkund kemi, edhe tash edhe atëherë për baletin klasik, mirëpo në fushën e folklorit koreografik vetëm në Sofje të Bullgarisë ka pas në gjithë botën dhe fatkeqësisht që nuk kish dhe individ persona tjerë të studionin atje. Unë e pata fatin dhe u ktheva koreograf i parë, i koreografisë së folklorit në Kosovë.

Me sa jemi të i informuar, jeni koreografi i parë i diplomuar jo vetëm në Kosovë, por në tërë etnikumin Shqiptar.

Berisha: Në fushën e folklorit, për atëherë flas, se tash ekzistojnë, tash ka edhe në Tiranë.

Ka qenë përgjegjësi për ju?

Berisha: Përgjegjësia ishte bjeshkë e madhe! Isha i ri dhe pa përvojë. Kisha vetëm njohuri teorike që i kisha mësuar në Institutin e Koreografisë në Sofje. Ndihmesë shumë të madhe e kam pas edhe muzikën, sepse një koreograf i cili profesionalisht e njeh muzikën, shumë e ka më lehtë të ndërtoj elementin, motivin, fragmentin e çdo valleje, se sa ata të cilët nuk kanë njohuri muzikore.

Meqë vini nga një trevë ku folklori burimor edhe sot është shumë i ruajtur, pra nga Opoja, jeni edhe një valltar i shkëlqyer edhe një anëtar i një familjeje me traditë valltarësh, i një vendbanimi ku vallja popullore edhe sot ruhet…, a mund të konstatojmë se dhe ajo duhet të ketë qenë një përparësi që keni pasur?

Berisha: Për mua personalisht ka qenë pikërisht Opoja, si regjion ndër më të pasurit jo vetëm në Kosovë e Ballkan por edhe në Evropë e në Botë që më ka ndihmuar gjatë karrierës sime. Opoja është një gurrë. Njeriu i Opojës, nuk e dimë, se s’kemi bërë kërkime, hulumtime shkencore që ta dimë se si ai njeri ka ditur aq bukur ta ndërtoj vallen folklorike, këngën e vajzave.

Në atë periudhë keni botuar dhe një libër me titull “Vallet tradicionale të Opojës”. Na përshkruani me pak fjalë çfarë keni paraqitur në atë libër?

Berisha: Në atë vit, më kujtohet si sot, profesor Anton Çetta, atëherë ishte në Institutin Albanologjik dhe kërkoja shumë ndihmë nga të gjithë sepse njohuritë e mia ishin shumë të kufizuara për të botuar një libër me valle tradicionale të Opojës. Unë e kisha përcaktuar se cikli i valleve tradicionale të burrave të Opojës numëron 11 valle, që përfundon cikli i valleve, mandej ka valle shtesë dhe ato nuk i kam fut, kam fut vetëm në cikël të valleve të burrave, dhe këngët dhe disa valle të kënduara të vajzave që janë: “Tahir Begi”, “Qitmi dhentë kah fusha”, janë këngë të cilat valëzohen. Dhe në këtë libër kam punuar më tepër në aspektin profesional, pasi që të gjitha lëvizjet i kam të deshifruara me fjalë dhe kam nxjerrë muzikën prej surleve dhe ritmin prej lodrave, gjithsesi me ndihmën e recensentit të librit që ka qenë i ndjeri Bahtir Sheholli të cilit i jam shumë mirënjohës bashkë me Rexhep Munishin që vazhdimisht më ka ndihmuar për ta futur materialin sa më mirë në këtë libër. Ky ishte libri i parë në këtë fushë dhe fatkeqësisht nuk ka më libër tjetër të shkruar nga autorët tjerë kosovarë.

Do të donim që me lexuesit e revistës “Sharri” të ndani ndonjë moment të veçantë që ju ka mbetur i pashlyer ne kujtesën tuaj gjatë punës me Ansamblin “Shota”, meqë atëbotë u kthyet si koreograf i diplomuar në një ansambël që kishte emër.

Berisha: Duhet të përsëris së në rend të parë e kisha përgjegjësinë kur mendoja se do t’i qasem punës në një ansambël me të cilin duhet të hulumtohet terreni, terreni në regjionet e ndryshme të Kosovës. Momentet kur mblidhja folklor në zonat e caktuara ,ato më kanë mbetur shumë thellë në memorien time sepse puna ishte shumë e kënaqshme sigurisht por me vështirësi sepse nuk duhet të mblidhet vetëm elementi, lëvizja e valles por në kontekst të të gjithave, të traditës, ritualeve, zakoneve dhe në të cilat kontekste luhej vallja në dasmë dhe në raste tjera të veçanta.

Në njërin nga festivalet më të mëdha ndërkombëtare të folklorit që mbahet në Dizhon të Francës, ju fituat vendin e dytë me koreografinë “Dasma e Opojës”. Ky ishte njëri nga çmimet më të rëndësishme që ka fituar Ansambli “Shota”, por dhe ju si drejtues dhe koreograf i atij ansambli. Po bëhen gati 30 vite nga ajo kohë, a mund të na e përshkruani me pak fjalë rëndësinë që ka pasur për Ansamblin “Shota”, për  Opojën, Kosovën por edhe për karrierën tuaj ky çmim?

Berisha: Unë këtu desha ta veçoj patjetër forcën krijuese të popullatës që kanë jetuar që jetojnë dhe që do të jetojnë në Opojën e nderuar, sepse nga aty materialin të cilin e kam marr, të cilin e kam njohtë qysh si fëmijë, që jam rrit me të, e kam inskenuar në mënyrën më origjinale të mundshme, me këngët xhevahire të vajzave të Opojës dhe me tri valle nga cikli i valleve të burrave, Vallja e Dytë dhe Vallja e Gjashtë. Vallen e Gjashtë tash e kam quajtur Vallja e Takisë. Takia është një person i cili e ka vallëzuar me shpirt këtë valle dhe unë e kam emërtuar me emër të tij. Takia ka qenë nga fshati Buqe, një valltar i shkëlqyer, ai priste ne radhë që të vinte vallja e gjashtë, për të biseduar me tokën me qiellin me muzikën, krijonte një raport me të gjitha ato qe e rrethonin atë, këtë valle e vallëzonte me të vërtetë me shpirt.

Vallëzohet tash kjo valle?

Berisha: Po si. Pikërisht këtë valle e kam fut në programin e 50 vjetorit të Ansamblit “Shota” dhe i kam ftuar lodraxhitë dhe surlexhitë origjinal që janë të Prizrenit. E për këtë desha ta them se me këtë material ne morëm pjesë në festivalin e madh në Francë dhe aty ishte konkurrenca e jashtëzakonshme, sepse në juri ishin ekspert të fushave të ndryshme, duke filluar nga antropologë, etnologë, muzikologë, etnokoreologë, dhe ata i shikojnë të gjitha nga fusha e tij për të arrit me përcaktuar se në cilin vend kemi qenë fitues.

Kjo punë që e bëmë me një përkujdesje shumë serioze, na doli e mirë dhe aty u shpallëm ansambli i dytë në një radhitje me më shumë se njëqind shtete të botës. Kosovës i erdhi një çmim i parë në fushën ndërkombëtare, edhe për mua ishte i rëndësishëm sepse më hapi shumë shtigje të reja për ta thelluar njohurinë time në folklor. Pas asaj ju qasa regjioneve tjera të Kosovës.

Ka mbi 20 vite që jetoni në mërgatë, përkatësisht në Gjenevë të Zvicrës. Çka ju shtyu që të largoheshit nga Kosova dhe si arritët të ambientoheshit në tokë të huaj?

Berisha: Si të gjithë që në ato vite kishim presion, dhe unë kisha një presion të madh dhe shkova me shpresën që do të kthehesha shpejt! Atje kishte qenë një shoqatë kulturore “Igballe Prishtina” para se të arrija unë atje por në një periudhë e kishin ndalur aktivitetin e saj vet shqiptaret dhe atje mandej e dinin që unë merrem me fusha të artit dhe e rihapëm atë, pra bëhet fjalë për vitet e ’90-ta.

Për dallim nga disa krijues, artist e ekspert shqiptar që nuk ja dolën të merreshin me të njëjtin profesion edhe në mërgatë, ju megjithatë nuk u larguat nga profesioni juaj, si ja dolët t’a bëni?

Berisha: Duke ju falënderuar kësaj Shoqate. Unë e dija se pika më e dobët janë fëmijët. Zvicra është një vend i civilizuar dhe fëmijët rrëshqasin shumë shpejt për ta humbur edhe atë pjesë më të vogël të identitetit, dhe këtu hasa ne një përkrahje shumë të madhe të prindërve. Filluam punën, me recitale të ndryshme, poezi, këngë, blemë një piano dhe më vonë, në vitin 2002, faktikisht ishte një mik i shqiptareve, Lui Berzhi i cili na ndihmoi ta hapim një Universitet Popullor Shqiptar. Sot, pak a shumë, i ka zbeh aktivitetet por atëkohë ka qenë shumë i rëndësishëm për shqiptarët dhe unë e luta atë ta hapim një aktivitet, i shpjegova atij që unë merrem me këngë, me valle dhe ai na përkrahu. Në vitin 2002 hapëm arterien e parë shqiptare atyre 70 nxënës. Aty kisha dy personazh që më kanë ndihmuar së tepërmi, Nexhmedin Ilazi dhe Ismet Kurtishi. Kishte natyrisht edhe prindër të tjerë, sepse që kjo punë kurorëzohet në një piramidë, janë prindërit, janë fëmijët dhe jam unë si kuadër i cili merrem me to.

Krahas koreografisë ju jeni edhe këngëtar.  Disa këngë tuajat janë të incizuara në fonotekën e radio Kosovës. A vazhdoni edhe më tej të këndoni dhe a i keni mbledhur ato këngë në ndonjë album?

Berisha: Tash po e tejkaloj edhe modestinë, por unë jam fitues i akordeve të Kosovës ne vitin 1979. Me këngën “Mëma” kam marr çmimin nga juria e festivalit. Në Gjenevë kam kontaktuar rastësisht një personazh të shkëlqyer i cili quhet Zhil Toro. Ai luan në klarinetë. Unë kam qenë i fascinuar me të se si me klarinetë ekzekuton muzikë polifonike nga Shqipëria e jugut dhe e ka grupin e tij. Të gjithë janë zviceran përpos një zonje që është nga Tirana e cila ka kryer psikologjinë dhe vazhdon të luaj në violinë në ansamblin e Zhil Toro. Edhe sot nuk mund të besoj se si mund të luaj një zviceran aq mirë shqip. Më vonë kuptova se ishte etnomuzikolog dhe më të e ndërtuam një album me afër 15 këngë shqipe që i kam kënduar unë. Aty jam mësuar të këndoj këngë të jugut. Me këtë orkestër kemi realizuar një album që është sponsoruar nga Atelieja e Etnomuzikologjisë në Gjenevë. Aty ka këngë më çifteli por shumica janë këngë të miat polifonike.

Në çfarë instrumente luani?

Berisha: Unë kam kryer shkollën e mesme të muzikës. Luaj piano, violinë kitarë, me çifteli… Kur ulem në piano e ndjej mirë pianon.

Berisha, aktualisht jeni i angazhuar si koreograf në Ansamblin “Gëzuar” në Gjenevë të Zvicrrës. A mund të na jepni një historik të shkurtër të këtij Ansambli?

Berisha: Ansamblin Gëzuar e kemi themeluar në vitin 2007 dhe kjo është një vazhdimësi e Ateliesë që është themeluar në Universitetin Popullor Shqiptar. Këtu po i përmend dy bashkëpunëtor, të cilët më kanë dhënë mbështetje, Nexhmidin Ilazi producent dhe Ismet Kurteshi kryetar i ansamblit dhe shumë prindër të tjerë që në mënyrë serioze kanë mbështet vullnetin dëshirën e fëmijëve dhe ky ansambël mendoj që publiku ka qenë shumë i kënaqur me sinqeritetin e tyre me ata që merren kultivojnë vallen dhe muzikën shqiptare.

Ishit disa javë në Prishtinë dhe u është besuar që t’i përgatitni disa pika për Ansamblin “Shota”. Si e pritët këtë ftesë dhe sa arritët që t’i realizoni ato?

Berisha: Kjo ftesë më gëzoi. Me këtë nder që ma bënë u desh të arsyetoj këtë ftesë dhe të bëjë diçka më serioze në ndërtimin e këtyre pikave. Unë erdha me një pjesë koreografike që e kisha ndërtuar në Gjenevë për djemtë e Ansamblit “Shota” dhe ajo u mirëprit nga anëtarët e ansamblit. Pastaj u futa në motivet e disa zonave të Kosovës, dhe mendoj se u bë një punë solide, por ajo që na bën më të vetëdijshëm është që mbeta i kënaqur unë dhe trupa drejtuese e Ansamblit.

Çfarë duhet të bëjnë institucionet por edhe personalitetet e artit dhe muzikës për t’i ruajtur vlerat e valleve dhe këngëve?

Berisha: Në radhë të parë televizionet kanë një përgjegjësi të madhe në përzgjedhjen e repertorëve të ndryshëm d.m.th. aty fillon së pari, por edhe radio duhet të rezervoj vend për këto këngë, dhe jo kënga e mirëfilltë shqipe të zëvendësohet me këngë tjera dhe të mbetët në periferi. Këtu institucioni më i lartë i shkencës është Instituti Albanologjik, dhe aty kam disa miq që e luftojnë pa masë këtë mikrob të keq, por forca e tyre nuk është edhe aq e madhe. Ata përvidhen, shkojnë në televizione të ndryshme, më e keqja në instrumente të vjetra siç është çiftelia kanë ndikuar dhe kanë shti melodi që nuk dihet se nga vijnë. Fjala lëndim është shumë e vogël, kur them se është në periferi do të them se është në zhdukje dhe tash që ne edhe truri ynë në sferat e jetës punon më shumë nga ana folklorike dhe ne t’i futim në arkiv këto, por fatkeqësisht këta që po e bëjnë këtë punë duhet e gjet mënyrën se qysh mi vu në barrierë.

Në Kosovë organizohen disa festivale si dhe ka disa ansamble që po marrin pjesë edhe në festivale jashtë vendit. Sa keni arritur të ndiqni këto festivale, dhe a keni ndonjë ansambël të Kosovës që e vlerësoni?

Berisha: Fatkeqësisht i kam të pakta informacionet e festivaleve që mbahen në Kosovë. Dy vitet e fundit e përcjelli festivalin që e bën profesori Fadil Hysaj në fshatin Kokaj dhe aty kam pas rastin që t’i shoh disa grupe që vijnë aty me disa instrumente shqiptare dhe ata nuk kishin luhatje në interpretuarin e zgjedhur.

Kam dëgjuar edhe për Ansamblin “Bresana” i cili me sukses po e mban gjallë jetën kulturore në trevën e Opojës duke prezantuar përpara publikut vlera të mirëfillta kulturore të Opojës. Konsideroj se djemtë dhe vajzat e këtij Ansambli duhet të mbështeten fuqimisht jo vetëm nga institucionet komunale por edhe nga ato shtetërore pikërisht për faktin se po e kultivojnë dhe ruajnë një traditë burimore dhe me këtë na bëjnë që të ndihemi krenarë jo vetëm ne opojanët por mbarë popullin shqiptar.
Kur ishim te festivalet, shpresoj që të gjitha ato festivale që organizohen në Kosovë të kenë kritere specifike dhe të kenë kritere vendimtare që të mos lejojnë asnjë elemente të tallavahut ose diçka tjetër por ato kritere vendosin kërkesat të asaj që po donë me na u shkri, pra të folklorit, sepse asaj shpirtërore që u përcjellë nga gjenerata në gjeneratë nuk kemi të drejtë me ja hup ata cilësi me një dëshirë të pamenduar mirë dhe me një vullnet të keq.

Çfarë planesh keni për të ardhmen?

Berisha: Me ju thënë të drejtën tash e kam Ansamblin “Gëzuar”, frutë që e kam mbjell vet dhe vjeljen e tij e kam të sigurt, sepse janë fëmijë shumë entuziast, që e donë traditën vallen, bile në mesin e atyre vajzave njëra po më thotë se ka qenë e befasishme, ndër të tjera më tha se çdo të shtunë shkoj në Kosovë, sepse të shtunën i kemi ushtrimet në Ansambël, dhe ajo thotë se çdo të shtunë shkon në Kosovë, aq shumë që është e lidhur me forcën dhe traditën shqiptare!

Për fund z. Berisha cili do të ishte mesazhi juaj për lexuesit opojanë dhe më gjerë?

Berisha: Të gjithë lexuesve, bashkatdhetarëve dhe bashkëvendësve të mi opojanë ju dëshiroj shëndet dhe njëkohësisht dëshiroj t’iu them se aty ku gjenden aty ku janë të tregohen me punë dhe atë punë që e bëjnë le ta bëjnë me seriozitet.  Kisha dashtë nëse ka ekspert ose amatorë që merren me këngën dhe vallen në të kenë një vëmendje serioze dhe të vetëdijshme se vetëm atë që e trashëgojmë nga të parët mund ta trashëgojmë. Për fund ju kisha falënderuar juve i nderuar Demir së paku që të ka shkuar mendja ta bëni një bisedë që është në favor të traditës, në favor të kulturës. Me këtë që e biseduam, nxorëm diçka shumë të vlefshme për njerëzit që merren me këtë. Ju falënderoj shumë juve dhe ju dëshiroj çdo të mirë në jetën tuaj.

BOX

Xhemali Berisha u lind më 1949 në fshatin Buçe. Shkollën fillore e ka kryer në Buçe, Bresanë, dhe Bellobrad, ndërsa Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren. Shkollën e lartë pedagogjike, degën e Muzikës e ka kryer në Prishtinë. Në vitin 1972, Xhemaliu si këngëtar e instrumentist i mirë që ishte pranohet si anëtarë i Ansamblit “Shota” të Prishtinës. Udhëheqësit e këtij Ansambli duke i parë aftësitë dhe talentin e Xhemaliut, e dërgojnë për ta studiuar koreografinë në Sofje të Bullgarisë prej nga në vitin 1978, kthehet në Ansamblin “Shota” si koreografi i parë profesional në Kosovë. Për shumë vite, me shumë sukses ka udhëhequr këtë ansambël si koreograf dhe udhëheqës artistik.
Mbi dy dekada më parë, koreografi Berisha është larguar nga Kosova dhe veprimtarinë e tij, si koreograf i valleve shqiptare, e ka vazhduar në Gjenevë të Zvicrës. Atje ai ka themeluar një ansambël që quhet Ansambli “Gëzuar”, i cili, ka dhjetëra fëmijë shqiptarë, të cilët mësojnë vallen dhe traditat shqiptare.