fbpx

“Qetësohuni, të gjithë”: Gazetarja irlandeze vjen me një shkrim rreth asaj nëse mund të ketë një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë

HomeLajmeKosovë

“Qetësohuni, të gjithë”: Gazetarja irlandeze vjen me një shkrim rreth asaj nëse mund të ketë një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës ka folur për një luftë të mundshme në vend, me Rusinë si nxitëse.

Në një intervistë për La Repubblica, Albin Kurti tha: “Rreziku i një konflikti të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i lartë. Do të isha i papërgjegjshëm të them ndryshe, veçanërisht pasi bota e ka parë atë që Rusia i ka bërë Ukrainës. Në fund të fundit, ne jemi një demokraci në kufi me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës, mundësitë ishin të pakta, tani situata ka ndryshuar”.

Kështu e fillon autorja Melanie McDonagh, një gazetare irlandeze që punon në Londër, një shkrim për mediumin britanik The Spectator, në të cilin flet rreth gjendjes së krijuar së fundmi në Kosovë, përcjell Telegrafi.

Por a duhet të shqetësohemi?

“Unë do të thosha që duhet të qetësohemi”, shkruan gazetarja. “Jo se jam e pagabueshme; Unë isha ajo që thash se Rusia nuk do ta pushtonte kurrë Ukrainën. Por edhe pse ka tensione mes Kosovës dhe Serbisë, ka shumë pak gjasa që ato të çojnë në luftë”.

Megjithatë, thekson ajo, “Rusia mund të jetë pas incidenteve si gjuajtja e rojeve kufitare, por Serbia është lojtari i vërtetë në Mitrovicë dhe vështirë se ka nevojë për nxitje nga jashtë”.

“Ajo që është e rëndësishme këtu është se bisedimet e gjata ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat janë duke u zhvilluar prej disa vitesh, nuk kanë arritur askund”, vë në pah gazetarja.

Për më tepër, vlerëson ajo, “ka një arsye të mirë që si presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe kryeministri i Kosovës të flasin për tensionet në mënyrë që të largojnë vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme”.

“Situata ekonomike në Kosovë është veçanërisht e rëndë; dhjetëra mijëra të rinj shqiptarë largohen çdo vit nga vendi, shumë prej më të arsimuarve ‘tërhiqen’ nga Gjermania; mjekët, për shembull, merren nga universiteti për shërbimin shëndetësor gjerman, me pasoja të pashmangshme për sistemin shëndetësor vendas. Ka mungesë të investimeve të huaja, papunësi të lartë dhe sundimi i ligjit është problematik. Pra, shpërqendrimi nga dështimet shtetërore në një ngecje në veri të Kosovës është i dobishëm për të dyja qeveritë”.

Por arsyeja e dukshme pse lufta ka shumë pak gjasa të ndodhë, sipas saj, është se amerikanët, nuk do ta lejojnë atë.

“Ata kanë një bazë ushtarake në Kosovë dhe mbështetje ajrore lehtësisht të arritshme. KFOR-i (forca paqeruajtëse e udhëhequr nga NATO me mbi 3,000 personel ndërkombëtar) është ende në Kosovë dhe trupat italiane janë shumë të dukshme rreth Mitrovicës. Edhe Britania po trajnon forcat e mbrojtjes kosovare. Me fjalë të tjera, ne nuk jemi në një situatë të stilit të Ukrainës. Nuk jemi as afër. Ka shumë për t’u shqetësuar në ish-Jugosllavi, por nuk është gushti 1914, apo edhe prilli 2022. Qetësohuni, të gjithë”, ka shkruar në fund Melanie McDonagh.

x