fbpx

Ende ka veteran që në luftë nuk ishin të lindur fare, 36 mijë gjithsejtë, shumica nga Deçani e Peja

HomeLajmeKosovë

Ende ka veteran që në luftë nuk ishin të lindur fare, 36 mijë gjithsejtë, shumica nga Deçani e Peja

Çështja e veteranëve të luftës është riaktualizuar disa herë gjatë muajve të fundit, sidomos në rastin kur Qeveria Kurti vendosi që t’i përjashtonte nga Ligji i Pagës Minimale që do të parashihte rritje të pensioneve nga 170 në 250 euro. Por, cilat janë statistikat e përfitimeve të veteranëve për gjashtë muajt e parë?

Në bazët të statistikave të publikuara më 25 korrik nga Agjencia e Statistikave (ASK), numri i veteranëve të luftës që kanë përfituar në skemat e pensioneve që u takojnë ndryshonte nga muaji në muaj.

Në muajin janar, numri i veteranëve përfitues ishte 36 mijë e 841. Ky numër ishte rritur në muajt shkurt dhe mars, por përsëri u ul në muajt vijues.

Një statistikë interesante është ajo që thotë se numri i veteranëve që morën pensionet nga shteti për vetëm një muaj u ul nga 36 mijë e 907 në 36 mijë e 819. Kjo nënkupton se për një muaj, 88 veteranë më pak përfituan nga kjo skemë pensionale.

Komunat

Numri më i madh i veteranëve të luftës që janë pjesë e skemave të pensioneve është në komunën e Deçanit.

Komuna prej nga vjen kryetari i AAK-së ka pasur në muajin qershor 4 mijë e 44 veteranë të luftës që përfituan nga 170 euro.

Menjëherë pas Deçanit, numrin e dytë më të madh të veteranëve e ka komuna e Pejës me 3667 veteranë përfitues të 170 eurove. Ndërkohë, në vendin e tretë është Gjakova, që në muajin qershor i kishte 3 mijë e 366 veteranë përfitues.

Të trija këto komuna janë nga rrafshi i Dukagjinit.

Dy komunat nga Drenica, Skënderaji dhe Drenasi, kanë një numër relativisht më të vogël veteranësh të përfshirë në skema pensionale. Në Skënderaj në qershor ishin 2622 veteranë, ndërsa në Drenas ishin 1692.

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, në muajin qershor i ka pasur 2 mijë e 785 veteranë të përfshirë në skemën pensionale.

Ndërkohë, komunat ku ka më së paku veteranë të UÇK-së janë ato me shumicë serbe. Në Zubin Potok është vetëm një, ashtu siç është edhe në Graçanicë. Në Leposaviq janë katër, në Kllokot janë dy, ndërsa në Zveçan janë tre.

242 veteranë janë nga diaspora.

Në shpjegimin e ASK-së thuhet se “numri i veteranëve lëviz, pasi që ende nuk iu ka ndërprerë e drejta e aplikimit për të përfituar nga kjo skemë, e në vazhdimësi ka aplikime të reja“.

Mosha

Shumica e veteranëve të luftës i takojnë grupmoshës 46 deri në 55 vjet. Në muajin qershor, 15 mijë e 529 veteranë të UÇK-së që përfitonin nga kjo skemë sociale ishin të kësaj moshe.

Menjëheë pas tyre, radhiten veteranët e moshës 36 deri në 45 vjeç që në moshë të luftës ishin mes moshave 15 deri në 23 vjeçare.

Një numër veteranësh të UÇK-së i takojnë edhe moshës 18 deri në 25 vjeç. Plot 20 persona i takonin kësaj grupmoshe, e të cilët nënkupton se ose nuk ishin të lindur fare në luftë ose ishin prej moshës 0 e deri në 2 vjeç.

COMMENTS

x