Arbërie Nagavci :Si ministre e Arsimit pres që DKA-të, shkollat e mësimdhënësit ta respektojnë vendimin për mbajtjen e mësimit plotësues

HomeLajmeKosovë

Arbërie Nagavci :Si ministre e Arsimit pres që DKA-të, shkollat e mësimdhënësit ta respektojnë vendimin për mbajtjen e mësimit plotësues

Pandemia ka sjellë vështirësi për të gjithë e edhe për mësimdhënësit. Situata me Covid-19 ka bërë që shumë nxënës të pësojnë ngecje në mësime. Kjo është arsyeja që kemi marrë vendim për organizimin e mësimit plotësues për këta fëmijë.

Mësimi plotësues parashihet me legjislacionin në fuqi siç e kam thënë edhe në ditën kur e morëm këtë vendim. Këtu po e citoj Ligjin për Arsimin Para Universitar në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-032, Neni 8 paragrafi 6, nenpragrafi 6.3 ku thotë se ”në rast se vërehen mangësi në zbatimin e kurrikulumit, Ministria mund të kërkojë zbatimin e mësimit shtesë ose alternativ”.

E mbaj mend kur unë isha nxënëse kemi mbajtur mësim shtues e plotësues e të njëjtën e kam praktikuar edhe vet sa kam qenë mësimdhënëse. Në kohën kur puna e mësimdhënësit është mbajtur me përgjegjësi, nuk ka pasur kërkesa për refuzim të mësimit plotësues. Unë njoh shumë mësimdhënës që edhe tash mbajnë mësim plotësues por fatkeqësisht jo të gjithë e bëjnë këtë.
Jam e vetëdijshme po ashtu, se kemi shumë mësimdhënës që me përgjegjësi të lartë e kryejnë detyrën e tyre dhe janë në shërbim të nxënësve duke i mbështetur si fëmijët talentë ashtu edhe ata që kanë vështirësi në të nxënë. Por, gjendjen në arsim nuk e kemi aspak të mirë dhe jo rastësisht jemi në një situatë të tillë. Ndikimet partiake e vendimet e nënshkruara në kohë fushatash janë arsyeja kryesore që e kanë degraduar arsimin.

Fatkeqësisht për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve. Prandaj, është koha për punë sepse të gjithë e kemi obligim ta mbrojmë interesin më të mirë të fëmijëve. Kërcënimet e ikja e përgjegjësisë na kanë dëmtuar shumë. Kjo duhet të marr fund.

Si ministre e Arsimit pres që DKA-të, shkollat e mësimdhënësit ta respektojnë vendimin për mbajtjen e mësimit plotësues për ata fëmijë që kanë pasur ngecje gjatë kësaj periudhe. Çdo tendencë për të penguar punën me nxënësit që kanë ngecje, është dashakeqe dhe e papranueshme.

Në këtë kohë kur shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë jo vetëm në Kosovë por gjithandej në botë, mësimdhënësit duhet ta ndjejnë veten me fat që janë në marrëdhënie pune.

COMMENTS