100 raketa lëshohen mbi Izrael, Izraeli në prag lufte me xhihadin islamik

HomeLajmeBota

100 raketa lëshohen mbi Izrael, Izraeli në prag lufte me xhihadin islamik

Përmasa të pamenduara të konfliktit, thuajse në prag lufte, janë ato të minutave të fundit midis izraelitëve dhe palestinezëve, ku këta të fundit kanë marrë përgjegjësi të plotë për lëshimin e mbi 100 raketave në territor izraelit, si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve në Gaza pasditen e 5 gushtit.

Xhihadi islamik palestinez, i njohur shkurtimit dhe PIJ, ka marrë përsipër autorësinë e lëshimit të raketave mbi Izrael, duke bërë me dije se “ky është vetëm fillimi i përgjigjes së tyre”.

Vetëm disa orë më parë, lideri i PIJ-së, Tayser al-Jabari, gjeti vdekjen si pasojë e sulmeve izraelite, së bashku me nëntë persona të tjerë. Një vajzë 5-vjeçare ishte po ashtu viktimë e sulmeve të Izraelit.

Nga ana tjetër, këta të fundit janë tërësisht të përgatitur, duke thirrur në detyrë edhe 25 mijë rezervistë dhe vetë kryeministri Yair Lapid, ka thënë se “nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj veprimeve terroriste karshi Izraelit”.

Sipas pretendimeve të këtij të fundit, operacioni në rripin e Gazas u ndërmor për shkak se kishte informacione mbi organizime terroriste në Gaza, për të sulmuar Izraelin.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh.

Në bazë të raportimeve të fundit minutë pas minute, bombardimet vijojnë ende në një pjesë të mirë të territorit izraelit dhe po ashtu drejt Gazas.

Nuk ka ende një raport të saktë për viktima, por Izraeli ka marrë masa me ngritjen e vendstrehimeve kundër-raketore për të mbrojtur qytetarët.

Sa i përket reagimeve botërore, nga ana e amerikanëve është bërë thirrje për qetësim të situatës, por këto nuk janë dëgjuar nga pala izraelite, e cila e vijon sulmin operativ.

Vetë hapësira ajrore në veri të Izraelit është bllokuar, duke i devijuar kështu fluturimet, për të shmangur çdo tragjedi të mundshme.

Armata luftarake elitë, e njohur si Brigada Golani, si edhe trupat e armatosura izraelite, po zhvendosen në kufirin pranë Gazas.

Ndërsa, për ndërmjetësim, është ofruar pala egjiptiane, e cila ka raporte me të dyja palët.

Por, në binarët e një ofensive që vijon, ende nuk ka përgjigje diplomatike, përpos asaj ushtarake.

x